Zëdhënësi i KSHZ-së Admir Shabani: Një vendvotim në Gostivar, nuk është hapur për shkak të kushteve klimatike
Zëdhënësi i KSHZ-së Admir Shabani: Një vendvotim në Gostivar, nuk është hapur për shkak të kushteve klimatike
Gazetar: Suad Bjarami
Komisioni Shtetëror Zgjedhor konfirmoi se një vendvotim në Gostivar nuk është hapur fare për shkak të reshjeve të borës, të cilat kanë pamundësuar anëtarët e këshillit zgjedhor të arrijnë në vendvotim. Bëhet fjalë për vendvotimin me numër 0782 në fshatin Qafë të Gostivarrit ku të drejtë vote kanë 23 qytetarë. Zëdhënësi i KSHZ-së sqaron se nëse ndikon në rezultatin e përgjithshëm, votimi mund të përsëritet.
“Në vendvotimin në Gostivar ku nuk ka filluar votimi, aty kuptohet nuk ka votime dhe do të shohim në fund kur do të numërohen rezultatet se numri i përgjithshëm të regjistruar në këtë vendvotim a do të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm. Në qoftë se ndikon, atëherë përsëriten votimet në këtë vendvotim,” tha Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së.
Vonesa tjera ka pasur edhe në disa vendvotime në Gostivar, por edhe në Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë, megjithatë atje ku ka pasur vonesa është më pak se një orë, procesi i votimit do të mbyllet në ora 19. Në rastet kur vonesa është më shumë se një orë, por më pak se tre orë, votimi do të vazhdohet votimi për aq kohë sa kanë qenë të mbyllura.
“Vendvotimet 0503, 0512, 0513, 0529, 0533 në Gostivar ku vonesa ishte diku më pak se një orë. Edhe te komunat tjera pati vendvotime ku nuk u hap votimi në kohë për shembull, në Komunën Qendër Zhupë vendvotimi 0571 me vonesë rreth 40 minuta, në Mavrovë dhe Rostushë vendvotimi 0478 vonesë diku rreth 1 orë dhe vendvotimi 0496 me vonesë pak më të konsiderueshme, 2 orë e 30 minute. Në Vrapçisht të gjitha vendvotimet u hapën në kohë,” deklaroi tha Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së.
Nga KSHZ njoftuan se nuk kanë marrë ankesa lidhur me aparatet biometrike të identifikimit apo gjetjen e qytetarëve nëpër listat zgjedhore. /alsat.mk








