Zejtarët paralajmërojnë rritje të çmimeve

Zejtarët paralajmërojnë rritje të çmimeve

Gazetar: Ile Petreski

Produktet dhe shërbimet e zejtarëve do të shtrenjtohen për rreth 10 për qind nga muaji mars. Nga oda e zejtarëve për Alsat thonë se rritja e çmimeve është e pashmangshme me rritjen e paralajmëruar të pagës minimale. Kompanitë mikro dhe të vogla bëjnë analizën përfundimtare të gjendjes së tyre financiare dhe besojnë se do të kenë nevojë për fonde shtesë për të siguruar mjete për pagën e re minimale. Ata pohojnë se nuk janë kundër rritjes së pagës minimale.

“Rritja e pagave do të kontribuojë në rritjen e çmimit të produkteve dhe shërbimeve tona, për rreth 10 për qind, për shkak se pagat do të rriten për 2500 denarë. E kam thënë tashmë, se konsumatori i fundit do të dëmtohet, pra inflacioni do të tregojë fytyrën e vet”, tha Agron Fazliji- Kryetar i Odës së zejtarëve.

Sipas planit, paga minimale duhet të rritet në muajin mars dhe të jetë 20.500 denarë. Numri i zejtarëve në vend sillet nga gjashtë deri në shtatë mijë. Përveç pagës minimale, një problem me të cilin do të përballen kompanitë e vogla në të ardhmen është edhe ligji i ri për tatimin e fitimit, i cili godet më shumë këto biznese familjare. Gjithashtu, zejtarët këmbëngulin se për ta nuk zbatohet rregulli e diela ditë jopune, me argumentin se pikërisht të dielave këto aktivitete janë më aktive dhe më të kërkuara nga qytetarët./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button