fbpx

Zgjatet paralajmërimi i udhëtimit për vendet jashtë BE


Qeveria gjermane e zgjati edhe me dy javë paralajmërimin për të mos udhëtuar në rreth 160 vende. Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, tani ai duhet të zbatohet deri më 14 shtator. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane e justifikoi hapin me rritjen e numrit të infektimeve me koronavirus në shumë shtete. “Situata nuk do të ndryshojë sa duhet pozitivisht deri në mes të shtatorit për të hequr paralajmërimin global për të mos ndërmarrë udhëtime,” tha ajo.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme theksoi se “njerëzit që kthehen nga jashtë vendit shpesh sjellin infeksion në Gjermani”. Zëvendëszëdhënësja e qeverisë Ulrike Demmer u bëri thirrje qytetarëve të përdorin arsyen kur zgjedhin destinacionet e tyre të udhëtimit.

Sipas Institutit Robert Koch (RKI), më shumë se 40 përqind e njerëzve që rezultuan pozitivë në testet për virusin e Coronas në Gjermani ishin infektuar për herë të fundit jashtë vendit. Në javën 34 të raportimit, përqindja ishte 42 përqind. Para kësaj ishte 39 përqind.

Efekt pengues

Paralajmërimi për të mos ndërmarrë udhëtime vlen për të ashtuquajturat vendet të treta. Ky grup përfshin vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose që janë të asociuuara me zonën Shengen, përfshirë Britaninë e Madhe. Për ata që kthehen nga këto rajone, një test për koronavirusin është i detyrueshëm kur hyjnë në Gjermani. Derisa të dalë rezultati, ata duhet të izolohen për 14 ditë në karantinë, si një masë paraprake. Deri tani, paralajmërimi i udhëtimit ka qenë i kufizuar deri në fund të gushtit.

Një paralajmërim për të mos udhëtuar nuk është ndalim, por synon të ushtrojë një efekt të rëndësishëm parandalues. Sidoqoftë, ai ka edhe një anë pozitive për konsumatorët: u mundëson udhëtarëve t’i anulojnë prenotimet pa pagesë. Paralajmërimi për udhëtimet jepet pavarësisht nëse vendet janë klasifikuar si zona rreziku nga Instituti Robert Koch.

Aktualisht ekziston një paralajmërim udhëtimi për më shumë se 160 vende, por vetëm pak më shumë se 130 prej tyre klasifikohen si zona rreziku. Për shembull, një paralajmërim udhëtimi vlen për Tajlandën, sepse atje ekziston ende një ndalim hyrjeje për turistët, por Tajlanda nuk është më zonë rreziku për shkak të numrit të ulët të infektimeve.

LEXO EDHE:

Back to top button