Zgjedhjet lokale në Kosovë, Vetëvendosje e fundit

Zgjedhjet lokale në Kosovë nxorën PDK-në e Memli Krasniqit partinë që ka fituar më shumë komuna, nëntë gjithsej ndërsa Vetëvendosja fitoi vetëm katër komuna. Partia e kryeministrit të Kosovës Kurti, humbi balotazhin në qytetet e mëdha, Prishtinë, Prizren e Gjakovë, ndërsa fitoi në Gjilan e Podujevë. Në reagimin e parë për rezultatin, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se rezultati nuk është i kënaqshëm dhe është rezultat i defekteve të brendshme.

“Rezultati jo i kënaqshëm për ne vjen si rezultat i disa defekteve të brendshme të cilat ne duhet ti analizojmë më gjatë në vijim si dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër Vetëvendosjes”- deklaroi Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.

Nga Prizreni, ku fitoi kandidati i PDK-së Shaqir Totaj, kryetari i këtij subjekti politik Memli Krasniqi tha se në këto zgjedhje populli ia ktheu shpinën Albin Kurtit.

Në paraqitjen e parë pas fitores në Prishtinë, Përparim Rama i LDK-së para qytetarëve në shesh tha se do t’i realizojë të gjitha premtimet deri në transformimin e kryeqytetit

 “Prishtinën me bë me na bë me u ndje krenar, e meritojmë e ju premtoj që me zellin më të madh kam me punuar derisa ta bëjmë transformimin të cilin ju kam premtuar”- pohoi Përparim Rama, Kandidat i LDK-së për Prishtinën

Në zgjedhjet lokale në Kosovë, Lista Serbe ka fituar 10 Komuna, Partia Demokratike e Kosovës 9, LDK-ja shtatë Komuna, AAK-ja pesë, Vetëvendosja 4 komuna, Nisma 1 komunë. Pas shpalljes së rezultateve preliminare, në ditët në vazhdim pritet numërimi edhe i votave me kusht dhe votave që kanë ardhur prej jashtë vendit.

Melihate Rustemi

 

LEXO EDHE:

Back to top button