Zgjedhjet në Bullgari, partia e kryeministrit Bojko Borisov e para

Teksa Komisioni Qendror Zgjedhor i Bullgarisë vazhdon t’i numërojë votat, rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të së dielës e paraqesin fituese partinë GERB të kryeministrit të deritanishëm, Bojko Borisov. Në garë të ngushtë për partinë e dytë më të votuar janë Partia Socialiste e Kornelia Ninovës dhe partia “Ka popull të atillë” në krye me muzikantin, Sllavi Trifonov. Vendimi i 48% të votuesve bullgar e bën të vështirë formimin e koalicionit të ri qeveritar, që duhet të sigurojë së paku 121 nga 240 ulëset e ligjvënësit. Borisov e sheh zgjidhjen përmes formimit të një Qeverie ekspertësh.

“Ju ofroj paqe. Le t’i emërojmë ekspertët dhe deri në dhjetor të dalim nga pandemia e pastaj do të jetë pastër dhe qartë!”, deklaroi Bojko Borisov, GERB.

Nga izolimi shkaku i simptomave të Koronavirusit, Trifonov paralajmëroi se do të ndodhë ndryshimi.

“Ju kërkuat pushtet dhe ndryshimi është i pashmangshëm!”, u shpreh Sllavi Trifonov, “Ka popull të atillë”.

Befasia e këtyre zgjedhjeve është pikërisht rritja e partisë së Trifonovit, i cili bëri fushatë në stilin e tij prej muzikanti.

VMRO-ja e Krasimir Karakaçanovit pranoi humbjen. Karakaçanov falënderoi votuesit dhe u zotua se do t’i mbrojë interesat bullgare në Maqedoni.

“Do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat bullgare në Maqedoni, sepse nuk duhet të bëhet kompromis për asnjë çmim! VMRO e humbi këtë betejë, por vazhdon lufta për më të shtrenjtën, Bullgarinë”, tha Krasimir Karakaçanov, VMRO.

3 partitë më të mëdha bullgare përskaj dallimeve të skajshme për çështje të brendshme, gjatë fushatës parazgjedhore kanë pasur pozicione identike rreth kontestit dypalësh me Maqedoninë e Veriut.

“Një identitet i veçantë maqedonas u formua në gjysmën e parë të shekullit të kaluar”, u shpreh Ekaterina Zaharieva, GERB.

“Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në kurriz të interesave kombëtare të Bullgarisë”, tha Kornelia Ninova, Kryetare e Partisë Socialiste të Bullgarisë.

“Nëse Maqedonia e Veriut nuk pajtohet me rrënjët e saja historike bullgare, do të mbetet jashtë BE-së”, deklaroi Sllavi Trifonov, “Ka popull të atillë”.

Nga ana tjetër, Shkupi është optimist se me epilogun e parlamentareve në fqinjin lindor, do të intensifikohen negociatat për gjetjen e kompromisit për çështjet dyplëshe.

Anesa Salihu

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button