Zgjedhjet në Kosovë/ Nis votimi me postë për diasporën, mbi 105 mijë qytetarë votojnë nga jashtë vendit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga sot ka filluar periudha e votimit përmes postës për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, ndërsa procesi do të zgjasë deri më 6 qershor. Përmes postës në zgjedhje pritet të votojnë rreth 105 mijë votues. KQZ-ja ka sqaruar hapat që duhet ndjekur nga votuesit për realizimin e votimit me postë, ku planifikohet të shpërndahen rreth 105 mijë pako. Sipas institucionit, pakoja me fletëvotim do të dërgohet në adresën e banimit të votuesit. Pas pranimit të saj, qytetarët duhet të plotësojnë fletëvotimin, ta vendosin atë në zarfin e fshehtësisë dhe më pas bashkë me dëftesën e regjistrimit ta fusin në zarfin kthyes. KQZ-ja ka bërë të ditur se janë vënë në funksion kuti postare në 22 shtete të botës, përfshi Maqedoninë e Veriut./Alsat.mk.








