Zgjedhjet në SHBA, Bajden pret fitore bindëse

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, beson në fitoren e tij në zgjedhjet amerikane, madje me një dallim të thellë kundrejt presidentit aktual, Donald Tramp. Por kandidati demokratik ka thënë se ende është shumë herët të shpallë fitoren për shkak të numërimit të votave

Në një fjalim të mbajtur mbrëmë vonë, Bajden ka thënë se është në rrugë drejt fitores, me më shumë se 300 vota të Kolegjit Elektoral nga më shumë se 270, sa i duhen, duke vënë në pah epërsinë që ka në Arizona, Nevada dhe Pensilvani.

“Shifrat shfaqin një tregim të qartë dhe bindës. Ne do ta fitojmë këtë garë. Votuesit bënë të qartë se dëshirojnë që vendi të bëhet bashkë, jo të vazhdojë të ndahet’ deklaroi Joe Biden, Kandidat për president të SHBA-së.

Biden ka thënë se udhëheq kundër presidentit aktual amerikan, Donald Trump në votën kombëtare, me një epërsi prej më shumë se 4 milionë vota.

Ndonëse vota popullore nuk përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Biden konsideron se 4 milionë vota më shumë janë “mandat për aksion” dhe se kjo sipas tij tregon se amerikanët duan që shteti “të bashkohet dhe të mos ndahet”.

Biden po ashtu u ka bërë thirrje amerikanëve që të vazhdojnë të jenë të qetë dhe të durueshëm teksa numërohen votat.

Kandidati demokrat ka rritur epërsinë ndaj Trumpit në shtetet kyçe si Xhorxhia dhe Pensilavania, duke e dërguar më afër Shtëpisë së Bardhë, ndonëse të dyja palët janë nisur të bëhen gati për beteja të mundshme ligjore. Në të njëjtën kohë, Biden ka rritur epërsinë në Xhorxhia nga 1,584 në 4,395 vota.

Zyrtarët e këtij shteti kanë thënë se rezultati i ngushtë mund të nxisë rinumërim.

Pa 16 votat e Kolegjit Elektoral të Xhorxhias, Trump nuk mund të fitojë 270 votat që i duhen për t’u shpallur fitues. Nëse Biden, që aktualisht ka 253 vota të Kolegjit Elektoral, fiton Xhorxhian, ai do të bëhej presidenti i parë demokrat që do ta bënte një gjë të tillë, prej kohës kur Bill Clinton ka fituar Shtëpinë e Bardhë më 1992.

Ndërkohë epërsia e Bidenit në Arizona ka qëndruar në 49.7 për qind ndaj 48.8 për qind për Trumpin.

Edhe në Nevada, epërsia e Bidenit është rritur në 49.8 për qind ndaj Trumpit në 28 për qind.

Meqë rezultati është kaq i ngushtë dhe Tramp nuk po tregon shenja të fitores, beteja për vota mund të bartet në dhomë të gjykatës. Ekipi i Trampit ka dorëzuar padi për një varg çështjesh në shtetet kyçe, ndonëse disa tashmë janë refuzuar nga gjykata shtetërore dhe Gjykata Supreme.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button