Aktakuzat për presidentin Thaçi, BE-ja pret vazhdimin e dialogut

Pavarësisht aktakuzave të Gjykatës Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe drejtuesit e tjetër të lartë të UÇK-së, Bashkimi Evropian kërkon vazhdimin e dialogut me Serbinë. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano madje ka thënë se dialogu është duke përparuar me takimet në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik.

“Udhëheqësit e të dyja palëve, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti konfirmuan (në një̈ deklaratë të përbashkët më 7 shtator) se ata i japin përparësinë më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuar nga BE.”

Edhe Qeveria e Kosovës përmes zëdhënëse, Antigona Baxhaku, thotë se nuk ka arsye për pezullim të dialogut. “Në dialogun Kosovë – Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Republika e Kosova merr pjesë për të realizuar interesat e veta dhe jo të Serbisë”, ka thënë Baxhaku për agjencinë kosovapress

Por, pezullim të menjëhershëm të dialogut ka kërkuar partneri qeverisës i kryeministrit Avdullah Hoti.

Ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi në mbledhjen e fundit të qeverisë tha se dialogu duhet të ndërpritet deri në një rrethanë tjetër politike.

“Konsideroj se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Për më shumë, Dhomat e Specializuara duke pranuar dosjet dhe dëshmitë e fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviqit që u pa edhe në media dhe përderisa nuk bën të qartë që UÇK nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale e Republikës së Kosovës është e shprehur”.

Ndërprerjen e dialogut nga kryeministri Hoti e kërkoi edhe lëvizja Vetëvendosje.

“Sido që të vazhdojë ky proces ne mendojmë që ai nuk guxon të drejtohet nga një person që i mungon legjitimiteti, i mungon kredibiliteti politik dhe se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë një qeveri legjitime e dalë nga një votë qytetare”.

Gjykata Speciale të enjten konfirmoi aktakuzën për disa prej ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Ndërsa, një ditë më parë u arrestua edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjë paraqitjen e parë para gjyqit të këtij institucioni më 10 nëntor. Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, do të paraqitet para këtij institucioni më 11 nëntor.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button