Zgjedhjet në SHBA, Tramp refuzon të pranojë rezultatin

Pavarësisht se kandidati demokrat Xho Bajdën u shpall president i zgjedhur i SHBA-së, Tramp refuzon ta pranojë rezultatin zgjedhor. Ekipi i tij paralajmëroi një sërë padish për mashtrime gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave. Avokati i Trampit, Rudi Xhuliani, tha se kontestuese janë sidomos rezultatet e votimit në Pensilvani, shteti që i siguroi votat kyçe kandidatit demokrat Bajden për të fituar Shtëpinë e Bardhë. “Ka prova të forta që këto zgjedhje janë vjedhur në 3 apo 4 shtete, mundësisht 10 shtete”, theksoi avokati. Në Pensilvani, ekipi i Trampit konteston mungesën e vëzhguesve gjatë numërimit të votave. Ata lejohen në çdo shtet por këtë vit ka pasur kufizime për shkak të pandemisë Covid-19. Në këtë shtet, padi është paralajmëruar edhe kundër numërimit të votave me postë. Kontestuese për Trampin janë edhe rezultatet e votimit në Miçigan ku Bajden është projektuar fitues. Tramp në 2016-ën kishte fituar në këtë shtet me një diferencë prej 10 700 votash. Ankesa ka edhe për votimin në Uiskonsin, Nevada, Xhorgjia si dhe Arizona. Nëse rezultati i zgjedhjeve kontestohet, fillimisht do të kërkohet një vendim nga gjykatat e shteteve. Më pas, mund të urdhërohet një rinumërim, ndërsa fjalën e fundit mund ta ketë Gjykata Supreme.

Senatori republikan, Mit Romni theksoi se Tramp ka të drejtë të kërkojë rinumërim, por vlerëson se përpjekjet e tilla nuk do të ndryshojnë rezultatin përfundimtar. Ish-presidenti Xhorxh Bush tha se rezultati është i qartë dhe shtoi se i ka telefonuar Bajdenit dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris, për t’i uruar.

Ndërkaq, Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Xho Bajden, pritet të shpallë një task-forcë këshilltarësh për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Përveç pandemisë, prioritete të Bajenit janë edhe rimëkëmbja ekonomike, barazia racore dhe çështja e ndryshimeve klimatike, thuhet në ueb-faqen e tij për tranzicionin. Bajden pritet të inaugurohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara më 20 janar, 2021.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button