Zgjedhjet në veri të Kosovës shtyhen për muajin prill

Zgjedhjet në veri të Kosovës shtyhen për muajin prill

Zgjedhjet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të parapara të mbahen me datë 18 dhe 25 dhjetor, janë shtyrë për 23 prill të vitit të ardhshëm. Kjo është bërë e ditur nga presidentja e Vjosa Osmani pas konsultimit me partitë politike pasditen e sotme.

Osmani tha se shtyrja e zgjedhjeve ishte e nevojshme pasi rrezikohej legjitimeti i tyre pasi asnjë prej organizatave vendore e ndërkombëtare nuk është paraqitur për t’i vëzhguar ato.

“Bazuar në këto vlerësime, përfshirë raportin që kam marrë nga institucionet sigurisë, propozimi im sot në këtë takim ishte që të shtyjmë zgjedhjet për kryetarë komunash në këto katër komuna si dhe për Kuvende Komunal në dy komuna. Diskutuam rreth datës më të përshtatshme, kohës që është e nevojshme dhe në fund me konsensus të plotë, pas këtij propozimi tim, erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit 2023, kurse data e saktë e muajit prill, sonte, ose më së largu nesër në mëngjes, do të kumtohet publikut, qytetarëve dhe institucioneve sepse duhet t’i shohim të gjitha festat në mënyrë që të sigurohemi që nuk korrespondon me ndonjë datë që në një mënyrë apo tjetër do të mund krijonte pengesa”, deklaroi Osmani para se të konfirmohej se data e re është 23 prill 2023.

Presidentja Osmani deklaroi se kishte dakordancë të plotë mes përfaqësuesve të partive politike që zgjedhjet të mbahen në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Ajo tha se Policia e Kosovës ka kapacitete për të siguruar zgjedhjet por u shpreh se bandat kriminale në veri kanë arritur të frikësojnë qytetarët dhe për pasojë edhe pjesëmarrja do të ishte e ulët.

Ajo tha se pikërisht frikësimi ka rezultuar me largimin nga lista dhe tërheqje të disa kandidatëve për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

“Të gjithë përfaqësuesit e partive politike treguan përgjegjshmëri të lartë në raport me atë që është më e shenjta dhe më e rëndësishmja në vendin tonë, e që është jeta e qytetarëve tanë, që duhet të sigurohet e të mbrohet me çdo kusht, përkundër faktit që Policia e Kosovës ka kapacitete të nevojshme, mos të harrojmë që aktivitetet e bandave kriminale në veri kanë arritur që të frikësojnë qytetarët tanë deri në masën ata të mos ndihen të lirë që të marrin pjesë në zgjedhje, prandaj edhe pjesëmarrja do të mund të ishte jashtëzakonisht e ulët për shkak të frikës nga tensionet dhe nga sulmet”, vijoi Osmani.

Kryetarja e shtetit u shpreh e shtyrja e zgjedhjeve ishte e nevojshme në mënyrë që të njëjtat të vlerësohen si të lira e demokratike.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe, vëzhgim nga institucionet vendore e ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjmë edhe përpjekje e të ndërmarrim veprime shtesë për rend e ligj në veri të vendit, vlerësoj se shtyrja është e nevojshme dhe si rezultat do të kemi organizim të zgjedhjeve por edhe vlerësim të tyre si zgjedhje të lira”, deklaroi Osmani.

Osmani përmendi shtyrjen e zgjedhjeve lokale më 2020 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë nuk konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut përderisa shtyrja e zgjedhjeve nuk është me afat të pacaktuar.

Po ashtu, ajo tha se edhe Komisioni i Venecias ka bërë një sërë vlerësimesh deri kur do të mund të shtyheshin zgjedhjet dhe Venecia, sipas Osmanit, i quan legjitime shtyrjen e zgjedhjeve kur ato bëhen për çështje të sigurisë, çështje të shëndetit publik, për shkak të mungesës së vëzhgimit ndërkombëtarë apo mungesës së kandidatëve të mjaftueshëm në garë.

LEXO EDHE:

Back to top button