Zgjedhjet presidenciale, hidhet shorti për radhitjen në fletëvotim
Zgjedhjet presidenciale, hidhet shorti për radhitjen në fletëvotim

Gazetare: Fatlume Dervishi
Përmes shortit, kandidatët për president zgjodhën numrat rendor me të cilët do të radhiten në fletën e votimit në ditën e zgjedhjeve. Stevo Pendarovski do të jetë numër një, me numrin dy do të jetë Gordana Siljanovska Davkova, me numrin tre Stevçe Jakimovski, me numrin katër Bujar Osmani, me numrin pesë Biljana Vankovska, numër gjashtë Arben Taravari dhe numër shtatë Maksim Dimitrievski.
Numri rendor i kandidatëve për president
1. Stevo Pendarovski
2. Gordana Siljanovska Davkova
3. Stevçe Jakimovski
4. Bujar Osmani
5. Biljana Vankovska
6. Arben Taravari
7. Maksim Dimitrievski
Ndërkohë, sipas KSHZ-së, përgatitja për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare zhvillohet sipas afateve dhe planifikimit.
“Deri tani nuk ka asnjë problem dhe gjithçka është zbatuar sipas afatit madje disa aktivitete që kemi mundësi i kemi zbatuar edhe para afatit”, deklaroi Aleksandar Dashtevski, KSHZ.
Votim për zgjedhjet presidenciale do të ketë edhe në diasporë, por, në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike nuk do të votohet dhe për zgjedhjet parlamentare.
“Diku 2900 u paraqitën për të votuar kurse prej tyre, nuk janë pranuar të gjithë për të votuar, por është pranuar pjesa më e madhe. Mendoj se pjesa më e madhe janë paraqitur nga Gjermania, ka nga SHBA-ja, nga Kanadaja, nga Australia, pothuajse pjesa më e madhe e shteteve perëndimore Evropiane. Në pjesën më të madhe nuk ka. Në këto vende do të organizohen zgjedhje vetëm për president”, theksoi Aleksandar Dashtevski, KSHZ.
Lista zgjedhore do të mbyllet më 2 prill kurse fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill. /Alsat.mk