Komisioni Europian prezanton “EU Kids Act”: Llogari të mbikëqyrura deri në 15 vjeç

Komisioni Europian ka paraqitur propozimin “EU Kids Act”, që synon të forcojë mbrojtjen e fëmijëve në internet dhe të vendosë kufizime të përbashkëta për përdorimin e rrjeteve sociale në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas propozimit, fëmijët nën moshën 13-vjeçare nuk do të mund të përdorin rrjetet sociale. Për moshat 13 deri në 15 vjeç parashikohen llogari të mbikëqyrura nga prindërit ose kujdestarët, me funksione të kufizuara dhe kohë përdorimi të kontrolluar. Të rinjtë nga mosha 15 vjeç do të mund të hapin llogari personale, por platformat do të kenë detyrim të ofrojnë mjedis të sigurt sipas moshës.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se platformat që duan t’u ofrojnë shërbime fëmijëve dhe adoleshentëve duhet të dëshmojnë se janë të sigurta.

Propozimi përfshin edhe masa për verifikimin e moshës që, sipas Komisionit, duhet të mbrojnë privatësinë e përdoruesve. Rrjetet sociale, platformat e ndarjes së videove, lojërat online dhe shërbimet e inteligjencës artificiale do të duhet të respektojnë parimin e “sigurisë në dizajn”.

“EU Kids Act” nuk është ende ligj. Ai duhet të negociohet dhe miratohet nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare të BE-së, përpara se të hyjë në fuqi./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button