Zgjedhjet vendore në Shqipëri, shfaqen probleme me identifikimin

Zgjedhjet vendore në Shqipëri, shfaqen probleme me identifikimin

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Në Shqipëri po mbahen zgjedhjet për kryetar të rinj të 61 bashkive dhe për përbërjet e reja të këshillave bashkiake. Në mbarë Shqipërinë u shfaqën probleme me pajisjet për identifikimin biometrik. Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi urdhëroi që identifikimi i votuesve të bëhet manualisht, përkatësisht përmes listës së votuesve.

“Në vlerësim të situatës dhe problematikave kemi vlerësuar bashkë me komisionarët për të mos penguar procesin e votimit, urdhëruam që ky proces të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë që të prisnim”, tha Ilirjan Celibashi, Kryetar i KQZ-së.

Në pjesën më të madhe të bashkive gara zhvillohet mes Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” që drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Partia Demokratike, e cila drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Enkelejd Alibeaj, ka kandidatë vetëm në 14 bashki. Kjo për shkak të përçarjes së Partisë Demokratike, pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të ish-liderit të këtij subjekti, Sali Berisha.

Kreu i Partisë Socialiste -së Edi Rama tha se tani është momenti i qytetarëve që të thonë fjalën e tyre.

“Tani është momenti i të gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar në KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan operaturat dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar momentin e parë të kthehen, në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të gjithë kandidatët dhe për këshillat e tyre bashkiak”, u shpreh Edi Rama, Kryetar i PS-së.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votimit në shkollën “Kosova” në Tiranë. Pasi hasi probleme me identifikimin elektronik, Berisha tha se kjo është pranvera e ndryshimit për Shqipërinë.

“Ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë, të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim, e bën gabimin edhe më të madh. Ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre, në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit! Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare”, deklaroi Sali Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje, sepse siç tha ai, nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje.

“Gjëja më e rëndësishme, e drejta më e fuqishme që ka një qytetar në demokraci është vota, ajo është themeli i lirisë, i dinjitetit edhe i fuqisë së tij. Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë, nuk ka të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari. Prandaj, ushtrojeni këtë të drejtë sot dhe vetëm përmes pjesëmarrjes, vetëm përmes kësaj mundësie të shkëlqyer që ju garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ju mund të bëheni pjesë e ndryshimit dhe t’u kërkoni llogari të gjithëve”, tha Ilir Meta, Kryetar i Partisë së Lirisë.

Kryetari i deleguar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se shqiptarët e kanë në dorë që të bëjnë një ndarje të madhe me të shkuarën duke votuar kandidatët e tij.

“Sot është dita në fakt, sot është dita që shqiptarët, ata të cilët ndoshta edhe në momentet e mëparshme, kohë më parë nuk është se kanë ardhur, kanë refuzuar votimin, sot do të duhet të vijnë, sepse kjo është mënyra, ky është momenti për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën, dhe kjo është në dorë të shqiptarëve”, nënvizoi Enkelejd Alibeaj, Kryetar i deleguar i PD-së.

Në këto zgjedhje opozita shqiptare pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës. Partia Demokratike e Shqipërisë së Alibeajt ka 14 kandidatë për kryetarë në të gjithë vendin. Ndërsa pjesa tjetër e demokratëve, të bashkuar rreth Sali Berishës, garojnë me siglën e koalicionet “Bashkë fitojmë”.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve u evidentuan 54 raste të krimeve zgjedhore, ndërsa 88 persona janë nën hetim. Për krim zgjedhor, konkretisht për blerje votash në pranga përfundoi edhe kandidati i opozitës në Himarë, Alfred Beleri. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë 3 milionë e 653 mijë persona. Prej këtij numri, 122.545 janë qytetarë që do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës. Në garën për drejtimin e 61 bashkive janë 144 kandidatë. Ndërkaq, për 1.603 ulëse në këshillat bashkiake garojnë 23.700 persona. Në zgjedhjet e 14 majit janë regjistruar 40 parti dhe koalicione. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button