Ambasada amerikane në Shkup ka konfirmuar se nuk e ka mbyllur adresimin e shqetësimeve me korrupsionin, gjegjësisht se nuk ka përfunduar me zgjerimin e të ashtuquajturës listë e zezë. Megjithatë, pavarësisht spekulimeve me emra konkret nga disa portale në prag të zgjedhjeve lokale, nga Ambasada thonë se nuk ka emra dhe as afat të caktuar për zgjerimin e saj.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë prej kohësh se korrupsionin minon demokracinë, dobëson sigurinë dhe pengon rritjen ekonomike. Përderi sa nuk komentojmë për individë ose afate kohore specifike, procesi i shqyrtimit dhe adresimit të shqetësimeve kriminale transakcionale është aktiv dhe i vazhdueshëm”, tha Ambasada e SHBA-së.
SHBA-ja vazhdon të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së sanksioneve, kryesisht ekonomike dhe tregtare, por edhe ndalesën e hyrjes në SHBA, për personat nga Ballkani Perëndimor për të cilët konfirmon se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të korrupsionit të lartë. Përgjigjen e tyre e japin për median lideri.mk.
“Asnjë aktor i korruptuar nuk duhet të jetë imun nga llogaridhënia. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjithë qeverinë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të forcuar transparencën dhe për të luftuar kriminalitetin”, njoftojnë nga Ambasada e SHBA-së.
Ish funksionarë dhe funksionarë aktual nga vendi, prej kohësh janë në listën e zezë amerikane. Aty janë ish zv.kryeministri Grubi, ish kryeministri Gruevski, ish zv.kryeministri Angjushev, kreu i Strugës Merko, ish drejtori i policisë sekrete Mijallkov, kreu i PDSH-së Thaçi, etj. /Alsat.mk








