Zinedin Zidan në pritje, vendimi final pas 6 janarit

Vetëm njëmbëdhjetë ditë më parë, Argjentina e Lionel Messit e ngriti në qiell Kupën e Botës. Pas humbjes në debutim, ndaj Arabisë Saudite, askush nuk do ta priste suksesin e njerëzve të Skalonit. Në aktin e fundit, ishte Franca e Didier Deschamps ajo që u mund, një nga favoritët e mëdhenj. “Gjelat”, me gjithë vështirësitë, për shkak të dëmtimeve të shumta, arritën të shkonin deri në fund.

Zhgënjimi në Paris ishte padyshim i madh, por ishte vetëdija, që në momentin e parë, se Mbappé dhe shokët e tij kishin luajtur në çdo rast një Botëror të shkëlqyer. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kombëtaret si Brazili, Spanja apo Portugalia, të cilat kanë vendosur të mbështeten te një trajner i ri për të ardhmen.

Në Francë, këto janë ditë reflektimi. Presidenti i Federatës, Noel Le Graet, menjëherë pas nokautit ndaj Argjentinës kishte lënë të kuptohet se dëshiron të vazhdojë me Deshampin. Kanë kaluar 11 ditë dhe ende nuk është bërë një zgjedhje. Sipas “Le Télégramme”, këtë të enjte në Guingamp është zhvilluar një takim mes numrit një të Federatës dhe trajnerit aktual, të cilit i skadon kontrata më 31 dhjetor.

Vullneti i Francës do të ishte që Deshamp të nënshkruante një kontratë dyvjeçare, i cili do të dëshironte të rinovonte me kombëtaren edhe për katër vjet të tjera, duke pasur kështu mundësinë për të luajtur në një Botëror të ri. Sipas mediave franceze, vendimi përfundimtar do të merret më 6 janar.

E vetmja gjë që mbetet, pra, është të presim edhe disa ditë për të kuptuar se kush do ta udhëheqë Francën. Lajm që prek qartazi edhe Zinedin Zidan, një nga kandidatët për stolin e kombëtares.

Ish-lojtari i Real Madridit është gati të rifillojë dhe nëse Deshamp do të ishte ende në krye e Francës, mund të hapen rrugë të reja për ish-Topin e Artë: Brazili ditët e fundit ka shprehur interesim për të, por nuk mund të harrojmë Juventus-in, që nuk ka reshtur kurrë së menduari për Zidan.

Në rast të lamtumirës së mundshme të trajnerit Masimiliano Allegri, emri i parë do të ishte ai i francezit. Një emër që do të bënte të lumtur të gjithë popullin bardh e zi.

LEXO EDHE:

Back to top button