Zjarret bëjnë kërdinë në Spanjë, të paktën 12 viktima
Një zjarr masiv ka shkatërruar një komunitet në jug të Spanjës, duke lënë të paktën 12 persona të vdekur. Zjarri shpërtheu të enjten pranë maleve Sierra de Los Filabres, në provincën e Almerías, dhe u përhap me shpejtësi nëpër zonë.
Shumica e viktimave humbën jetën pasi nuk i respektuan udhëzimet për të qëndruar të strehuar në vend, deklaroi Antonio Sanz, kreu i shërbimeve emergjente të Andaluzisë.
Disa prej tyre u përpoqën të largoheshin përmes një shtrati të tharë lumi, i cili “u shndërrua në një kurth vdekjeje”, tha ai.
Katër nga viktimat besohet se ishin shtetas britanikë. Mes viktimave besohet se kishte edhe shtetas të tjerë të huaj, kombësia e të cilëve ende nuk është bërë e ditur, ndërsa autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet.
Shtatë persona humbën jetën teksa po largoheshin në këmbë, pasi kishin braktisur automjetet e tyre.
Spanja është përballur vitet e fundit me valë të shpeshta dhe të rënda të të nxehtit, me temperatura që shpesh kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Era, temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve bëjnë që zjarret e vogla pyjore të shndërrohen shpejt në vatra të pakontrollueshme.
Në qershor, Spanja përjetoi disa ditë me temperatura rekord, ndërsa më shumë se 1,000 vdekje të shtuara iu atribuuan të nxehtit.
Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me temperatura që janë rritur dy herë më shpejt se mesatarja globale që nga vitet 1980, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus të Bashkimit Evropian.








