Zjarret në vend nën kontroll, por rreziku mbetet i lartë në rajon dhe Evropë

Gazetar: Avni Tahiri

Një zjarr në hapësira të hapura vazhdon të mbetet aktiv në vendin tonë ndërsa pesë të tjerë janë shuar gjatë ditës së sotme.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar gjashtë zjarre në hapësira të hapur prej të cilave një mbetet aktiv në territorin e fshatit Buçin, të Komunës së Krushevës, ku po digjet vegjetacion i ulët.

Ndërkohë, zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë pesë zjarre të tjera, edhe atë në fshatin Neproshten të Komunës së Tearcës, një në territorin e Komunës së Karbincit, si dhe në dy lokacione në Komunën e Strugës. Ndërkohë është shuar edhe zjarri i cili ishte aktiv dje në Komunën e Kumanovës.

Situata me zjarret mbetet shqetësuese edhe në rajon, ku ditëve të fundit janë regjistruar vatra të shumta në Kosovë, Shqipëri, Greqi, Serbi dhe Bullgari. Temperaturat e larta, thatësia dhe erërat kanë favorizuar përhapjen e flakëve, ndërsa autoritetet kanë angazhuar ekipe zjarrfikëse dhe mjete ajrore për t’i vënë ato nën kontroll.

Edhe në pjesë të tjera të Evropës situata me zjarret mbetet alarmante. Vala e të nxehtit ka nxitur përhapjen e zjarreve në Francë, Spanjë, Portugali dhe Greqi, duke detyruar autoritetet të evakuojnë mijëra banorë nga zonat e rrezikuara.

Në jug të Francës, mbi 10 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të një zjarri të madh pranë kufirit me Spanjën, ndërsa evakuime janë kryer edhe në disa zona të Greqisë dhe Spanjës, ku flakët kanë kërcënuar vendbanime dhe zona turistike.

Në terren janë angazhuar mijëra zjarrfikës, avionë dhe helikopterë, ndërsa autoritetet evropiane thonë se vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të koordinojnë ndihmën për vendet e prekura./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button