​Zvicra mbështet Kosovën me 86 milionë euro

Zvicra prezantoi pasditen e sotme Programin e ri të Bashkëpunimit për Kosovën për vitet 2022-2025 ku është konfirmuar ndarja e 86 milionë eurove shtesë të cilat janë paraparë për të mbështetur projektet ekonomike, zhvillimin e demokracisë dhe në kapacitete ujore. Ky program thekson interesin reciprok të Zvicrës dhe Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e prosperitetit në Kosovë, duke marrë parasysh sfidat e reja.

Ambasadori zviceran në vendin tonë, Thomas Kolly, deklaroi se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e nxitur nga përkushtimi për t’u ndihmuar qytetarëve të Kosovës dhe vendit që të ecin përpara.

Kolly: Jemi këtu që nga viti 1999 dhe do të qëndrojmë gjithmonë

“Ne si Zvicër jemi këtu si ambasadë, duke përfshirë edhe Bashkëpunimin Zviceran për Zhvillim, dhe siç e dini bashkëpunimin në fillim, ne ishim këtu si një nga vendet që e njohën Kosovën që në periudhën e parë të atij procesi. Ne jemi këtu që nga ajo kohë, që nga viti 1999 dhe do të qëndrojmë, por sigurisht që karakteristikat e bashkëpunimit tonë ndryshuan shumë gjatë viteve dhe natyrisht, kjo është jashtëzakonisht pozitive. Pra, nga tetë shtete Kosova u bë realisht partner bashkëpunimi, dhe ky bashkëpunim do të zhvillohet më tej në të ardhmen” tha Kolly

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu tha se Kosova ka thelluar bashkëpunimin me Zvicrën në aspektin politik dhe ekonomik.

“Jemi mirënjohës për ndihmën humanitare që shtetit zviceran i ka dhënë Kosovës qysh prej vitit 1999-të, dhe tani gradualisht duke u bazuar në dekada të miqësisë dhe marrëdhënieve të ngushta midis dy vendeve po shënojmë partneritet me rastin e lansimit të Programit të ri të Bashkëpunimit zviceran për Kosovën për vitet e ardhshme, për vitet 2022-2025. Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona, kanë nisur shumë vite më parë, rrugëtimi historik i marrëdhënieve tona ekonomike, politike, shoqërore dhe njerëzore. Këto marrëdhënie miqësore diplomatike dhe njerëzore mes dy popujve sot janë më solide dhe më të fuqishme se kurrë më parë”, u shpreh Aliu.

Zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, Ruth Huber, bëri të ditur se këto investime tregojnë miqësinë mes dy vendeve pasi që Zvicra është e para që ka njohur Kosovën si shtet.

“Marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Kosovës nuk janë një histori e zakonshme. Historia në fakt na ka afruar më shumë. E kam fjalën këtu për diasporën e madhe kosovare që jeton në Zvicër dhe që ka kontribuar në zhvillimin dhe prosperitetin e vendeve tona, për refugjatët e shumtë që kërkuan strehim në Zvicër, gjatë konfliktit të viteve 1998-1999. Dhe, po i referohem faktit që Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu Republikën e Kosovës në vitin 2008 si shtet të pavarur, Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2022-2025, është shprehje e partneritetit shumëvjeçar ndërmjet dy vendet tona, është gjithashtu një ilustrim i synimit tonë për të ofruar mbështetjen tonë të fuqishme për Kosovën me 86 milionë euro shtesë për katër vitet e ardhshme” deklaroi Huber.

Huber ka folur për ndikimin që kanë pasur investimet e Zvicrës në Kosovë, duke potencuar se janë hapur vende të punës dhe është rritë përmirësimi në qasje në ujë.

“Gjatë 20 viteve të fundit, përpjekjet e Zvicrës dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët e saj në Kosovë kanë bërë të mundur arritjen e progresit të konsiderueshëm në disa sektorë të rëndësishëm, të identifikuar si fusha prioritete nga vetë institucionet e Kosovës, për shembull, në vitet e fundit, mbështetja e Zvicrës kontribuoi për të arritur rezultatet e mëposhtme: Më shumë se 600 mijë njerëz përfituan nga përmirësimi i qasjes në ujë të pijshëm në zonat rurale, një numër po aq i madh i qytetarëve kanë qasje në shërbime më të mira komunale, rreth 10,000 njerëz gjetën punë, dhe mbi 1 milion njerëz, që është më shumë se gjysma e gjithë popullsisë së Kosovës kanë mundësinë të përmirësojnë shëndetin e tyre duke qenë më të informuar se si të parandalohen sëmundjet kronike”, tha ajo.

Huber përfundoi duke thënë se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e nxitur nga përkushtimi për të mbështetur qytetarët e Kosovës për të ecur përpara.

LEXO EDHE:

Back to top button