Zyrtare: Vjosa Osmani do të jetë u.d. presidente e Kosovës

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës.

“Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani, sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës.

Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Osmani pritet t’i drejtohet sot qytetarëve përmes një konference për media në orën 17:00.

Ndryshe sot ish-presidentit Hashim Thaçi i është konfirmuar aktakuza e ngritur nga ana e Gjykatës Speciale.

Thaçi në një konferencë për media bëri të ditur edhe dorëheqjen e tij, pasi siç tha ai “s’do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës, unë sot jam dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës”.

Pas dorëheqjes së Presidentit, neni 90 pika 1 e Kushtetutës së Kosovës i jep të drejtë Kryetarit të Kuvendit për të marrë postin e Presidentit, në këtë rast Vjosa Osmanit.

“Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit” shkruhet në Kushtetutën e Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button