Zyrtarët e BDI-së shkelën masat anti-Covid, festë private në institucion shtetëror
Festa e ditëlindjes së kreut të BDI-së Ali Ahmeti e organizuar në godinën e Ministrisë për Sistem Politik e cila u përurua në të njëjtën ditë, pa respektimin e protokolleve kundër Covid-19, ka nxitur reagime të shumta në opinion. Ndërsa shumë qytetarë dënohen për mos mbajtjen e maskave dhe ndalohet grumbullimi i më shumë se katër personave, në festën private të BDI-së në institucion shtetëror, asnjëri nga 15 funksionarët e BDI-së nuk mbante maskë dhe as distancë. Kritika të shumta në opinion, edhe për keqpërdorimin e institucioneve shtetërore për qëllime dhe interesa partiake.
Nga partia e Ahmetit arsyetohen se maskat i kishin hequr sa për të bërë foto. Osmani thotë se ngjarje ka zgjatur vetëm 10 sekonda. Por në fotot e publikuara vërehet që festa ka zgjatur më shumë.
Tek dhënia e porosisë unë pranova, që nuk është mirë të nxirren fotografi pa maska, për shkak të mesazhit që u jepen qytetarëve, por nuk kishte thyerje të ligjit për shkak se ishte çështje e momentin. Protokollet janë respektuar brenda, ka qenë çështje e momentin e cila nuk ka zgjatur më shumë se 10 sekonda dhe në këtë drejtim besoj se ka qenë gjithçka në rregull – tha Bujar Osmani, MPJ.
A do të lejoj ky institucion, a do t’ia jap hapësirën çdo qytetari, normal pasi me para të qytetarëve është ndërtuar ai institucion, të mund ti festojnë ditëlindjet në atë institucion?
Nuk është e vërtetë, pyetjen e keni gabim, sepse nuk është e vërtet, nuk ka pasur festim ditëlindjeje -u shpreh Osmani.
Torta për ditëlindjen e të tjerat?
Ka qenë një befasi që nuk ka mundur ta parasheh askush – u përgjigj Osmani.
Por Këshilli inspektues njoftoi se do të kryej kontroll nëse janë respektuar apo jo protokollet kundër Covid-19.
Komisioni përkatës do të kontrollojë nëse ka pasur shkelje të protokolleve dhe në mënyrë plotësuese do të jeni të informuar për gjithçka që do të konstatohet nga ana e tyre – njoftojnë nga Këshilli inspektues.
Pas fotografisë së shfaqur në media, reagoi edhe VMRO-DPMNE-ja. Nga partia e Mickovskit thonë se keqpërdorim i këtillë i institucioneve nuk është parë deri më tani. Reagoi edhe Alternativa. Sipas saj është e papranueshme qytetarët të dënohen për mosmbajtje të maskave ndërsa zyrtarët e lartë të qeverisë të mos mbajnë përgjegjësi për shkeljen e masave.
Mefail Ismaili