Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, në Luginë

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, në Luginë

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Numri dy i Qeverisë së Kosovës Besnik Bislimi ke kritika të mëdha për Serbinë gjatë vizitës së tij në Luginë të Preshevës bashkë me ministren e arsimit të Kosovës Arbërie Nagavcin. Ai fajësoi Beogradin për shpopullim të rajonit duke thënë se ka ardhur momenti për t’i treguar Evropës fytyrën e vërtetë të Serbisë.

“Është e tmerrshme të kuptojmë që në asnjë prej ambulantëve në Bujanoc, lidershipi apo menaxhmenti nuk janë shqiptarë. Në shumicën shkollave nuk janë shqiptar, nuk ka madje fare gjykata në Preshevë dhe Bujanovc, sepse këto janë zhvendosur në Vranjë, nuk ka në zinxhirin komandues të policisë shqiptar, as për së afërmi në raport me proporcionin në popullatë. Kjo shtrihet edhe te zjarrfikësit, i vetmi zjarrfikës shqiptar që ka qenë ka shkuar në pension dhe tani të gjithë zjarrfikësit janë serbë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arritur që me politikën e saj ta shpopullojë këtë regjion, por mendoj që tani ka ardhur momenti ku mund t’i tregojmë gjithë Evropës se si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë”, tha Besnik Bislimi, Zv.kryeministër i Kosovës.

Bislimi tha se në dialogun në Bruksel temë me rëndësi do të jetë edhe garantimi i simetrisë dhe barazisë në të drejtat mes qytetarëve shqiptarë në Luginë dhe atyre serbë në Kosovë. Ai tha se diskriminimi që po u bëhet shqiptarëve të Luginës nuk ndodh në asnjë vend në Evropë. Deputeti i shqiptar në parlamentin serb Shaip Kamberi kërkon që në marrëveshjen finales Kosovë-Serbi të përfshihen edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Çështja e shqiptarëve të Luginës dhe të drejtat e tyre duhet të jetë prezentë shpresojmë dhe besojmë se Qeveria në marrëveshjen finale eventuale që do të duhet të arrihet me Serbinë, çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës patjetër ta ketë pjesë”, deklaroi Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin e Serbisë.

Bislimi e Nagavci, të shoqëruar edhe nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës Ragmi Mustafi kanë shpërndarë edhe libra për nxënësit e Shkollës “Muharrem Kadriu” në Tërnoc dhe Zenel Hajdni” në Preshevë. Për dallim nga liderët e tjerë, kreu i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi bojkotoi takimin me dy zyrtarët e lartë të Kosovës, ndërsa për këtë veprim Bislimi u përgjigj:

“Për momentin ka dy narrativa, është narrativa e Qeverisë së Kosovës, e cila synon avancimin e të drejtave të Luginës dhe narrativa e presidentit Vuçiq, i cili vazhdon me shtypjen e Luginës. Secili prej liderëve mund të pozicionohet vetëm në njërën prej këtyre dy narrativeve”, shtoi Besnik Bislimi, Zv.kryeministër i Kosovës./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button