Zyrtarizohet heqja e maskave në ambiente të hapura

Që sot nuk do të jeni të obliguar të mbani maskat në hapësirat publike, por rekomandohet që të njëjtat ti mbani me vete sepse vazhdon të jetë e detyruar mbajtja e maskave nëpër ambientet e mbyllura. Qeveria miratoi propozimet e Komisionit për Sëmundje Infektive që të bëhet lehtësimi i masave anti kovid me përmirësimin e situatës epidemiologjike në vend. Ora policore do të vazhdoj edhe për dy javë.

Nga 1 qershori lejohet heqja e maskës në hapësirat publike, me rekomandim që maska të mbahet nëse numri i personave është më i lartë se 6 persona. Mbetet në fuqi masa që maska të mbahet në transportin publik, taksi dhe në të gjitha hapësirat e mbyllura, si shtëpitë e mallrave, dyqanet e qendra të mbyllura – njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.

Por, qytetarët janë me mendime të ndara. Përderisa vitin e kaluar kur u bënë ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse maska u bë obligative, numri i gjobave për mosrespektim të kësaj mase ishte i lartë, tani kur kjo masë që sot do të hiqet, ka qytetarë që thonë se ndihen më të sigurtë me maskë mbrojtëse për shëndetin e tyre.

“Nuk i zë besë, se duan të bëjnë eksperiment me njerëzit. Më mirë ta mbajmë. Në Indi e shtet tjera më shumë se 1 mijë njerëz çdo ditë vdesin. Më mirë ta mbajmë derisa të na thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë se mori fund kjo pandemi.”

“Varet nga situata, për momentin mund të jetë por më mirë është të mbahen, virusi ka mutacione.”

“Më rehat, nuk më zihet fryma e asgjë tjetër. Shumë mirë është!”

“Po nuk duhet, por unë e mbaj. Ma sigurt ndihem kështu. Përderisa ka virus duhet të mbahet maska.”

“E di, por më është bërë shprehi. Jashtë nuk është patjetër por brenda duhet sidomos në të mbyllura.”

Qeveria miratoi edhe rekomandimin që lejon publikun në terrenet sportive, me ambient të hapur deri në 30 për qind nga kapaciteti i hapësirës me respektim të distancës deri në 2 metra. Gjithashtu, lejohet organizimi i dasmave, ahengjeve në hapësira të hapura, terasa e oborre deri në maksimum 100 persona, dhe jo më shumë se 50 për qind e kapacitetit të hapësirës si dhe nga 6 persona në tavolinë. Do të lejohet muzika gjatë organizimit të dasmave, në pajtim me protokollin adekuat, por jo edhe vallëzimi.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button