​Hoti: Do të dëshmojmë se nuk do të ketë të paprekshëm para ligjit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti shuarjen e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës e ka cilësuar si vendim të duhur duke garantuar se nuk do ketë të paprekshëm para ligjit. Në interpelancën ku është ftuar në Kuvend, Hoti përsëriti se puna e task-forcës do të vazhdojë e papenguar në Policinë e Kosovës. Ai në foltoren e Kuvendit tha se me vendimin për shuarje të kësaj task-force do t’i hapet rruga vendit për integrim në strukturat ndërkombëtare të sigurisë.

- Advertisment -

“Ky vendim i qeverisë nuk ka asnjë objektiv tjetër, përpos luftimit të korrupsionit dhe luftimit të të gjitha dukurive negative me të cilat po përballet shoqëria jonë demokratike. Objektiv mbetet zhvillimi i kapaciteteve që luftojnë dukuritë korruptive sipas kornizës ligjore dhe jo me vendime administrative arbitrare. Objektiv tjetër i qeverisë është ruajtja dhe fuqizimi i pavarësisë së hetimeve profesionale dhe duhet eliminuar ndërhyrja dhe ndikimet e çfarëdollojshme dhe kjo garantohet me ligje dhe kushtetutë të vendit. Me këtë vendim do të dëshmojmë se nuk do të ketë të paprekshëm para ligjit, do t’i tregojmë botës demokratike që do të rreshtohemi karshi tyre në luftimin e korrupsionit. Me këtë vendim Kosovës do t’i hapim mundësitë drejt integrimit të strukturat ndërkombëtare të sigurisë”, tha ai.

Hoti theksoi se do të fuqizohet përmbajtja e task-forcës dhe se në strukturimin e ri, e njëjta do të jetë më efikas në luftimin e korrupsionit.

“Nuk po e pengojmë punën e tyre, por po e fuqizojmë përmbajtjen. Prandaj me strukturimin e ri dhe organogramin e ri sipas ligjit, ne besojmë që ky departament do të jetë më efikas në luftimin e korrupsionit. Ky vendim nuk cenon kontributin dhe përfshirjen e partnerëve tanë strategjikë, por ka të bëjë më ngritjen e përgjegjësie aty ku organet e rendit vlerësojnë se ka mungesa të duhura ligjore për luftimin e korrupsionit”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit kosovar tregoi edhe disa nga arsyet pse kanë shtyrë të marrë një vendim të tillë.

“Ky vendim i yni eliminon mundësinë e bartjes së përgjegjësisë nga një sektor në sektorin tjetër. Eliminon dyfishimin e institucioneve që kanë mandat ligjor të merren me çështje të caktuara dhe në të njëjtën kohë e rritë përgjegjësinë e të gjithave për luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative. Departamenti special antikorrupsion ka funksionuar brenda departamenteve të hetimeve. Pra kemi departamente brenda departamenteve që është dyfishim dhe përzierje e kompetencave dhe përgjegjësisë. Ne me këtë vendim vetëm po e qartësojmë mënyrën e funksionimit të departamentit të hetimeve brenda policisë”, u shpreh Hoti.

LEXO EDHE:

Back to top button