​Kurti: Kemi gjasa të fitojmë më shumë se 65 deputetë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet që do të mbahen së shpejti, kanë gjasë të bëhen më shumë se 65 deputetë, por shtoi se duhet të kenë kujdes dhe mos ta ulin standardin e listës dhe Kuvendit.

Kurti i bëri këto komente në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosjes, ku fillimisht foli për tërheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që të arrihet marrëveshja me LDK-në, e në të njëjtën kohë lavdëroi Vjosa Osmanin.

“Këmbëngulja e LDK-së për ta marrë atë pozitë lidhje në fakt jo me kryetarin e Kuvendit sa me presidentin. Sot do ta kishim patur ushtrues të detyrës së presidentit dhe kjo e tmerronte gardën e vjetër. Fati ynë i mirë dhe i gjithë Kosovës, që edhe ajo që e zëvendësoj Glaukun nuk ishte servile por dinjitoze dhe konsistente në qëndrimet e saj. E kam fjalën për Vjosa Osmanin e cila i përket atij grupi njerëzit në LDK që vendosën jo të pajtohen me mua por të mbajnë fjalën që ua dhanë votuesve të tyre në zgjedhjet e 2019-ës“, tha Kurti.

Ai foli edhe për qeverisjen katër mujore të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se me një kabinet më të vogël çdo vit do të kursenin 2.8 milionë, vetëm si kabinet.

Ndërsa, shtoi se kanë shkarkuar edhe bordet e ndërmarrjeve publike, gjë që nuk i pengojë kundërshtarët e tyre.

“Bordet e reja filluar menjëherë rigjallërimin e ndërmarrjeve por kjo gjë i shqetësoi kapësit të shtetit, të cilët prej vitesh i trajtonin ato ndërmarrje publike si lopë private, duke i mjel fshehurazi më rrallë e haptazi gjithnjë e më shpesh “, tha Kurti.

Ai tha se përkundër rekomandimeve ndërkombëtare që mos të rrëzohet qeveria derisa të kalonte pandemia, subjektet tjera politike nuk duronin dot.

“Këta nuk duronin dot të kalonte pandemia. E kishin mizën nën kësul dhe deshën të kruheshin. Dikush atëherë thoshte se po i bëjnë këto të pabëra se duan të shpëtojnë nga Gjykata Speciale por nuk shpëtuan dot nga ajo grackë të cilën ia kanë ngritur vetës. Ndërsa, ne që kemi mbajtur gjithmonë qëndrim parimor edhe në rastin e Gjykatës Speciale, ishim të vetmit që me sinqeritet e transparencë mund të drejtonim një politikë shtetërore parimore e cila do të mund të ishte edhe në interesin e tyre. Gjatë qeverisë tonë ne treguam se nuk ka nevojë të shkelësh parimet kombëtare për të ruajtur pushtetin, nuk ka nevojë të jesh i dhunshëm për ta mbajtur pushtetin. Ai që shkel parimet e që kërcënon me dhunë, le të vijë për ta marrë pushtetin por nuk e mban dot sepse populli e largon siç do të ndodh edhe tani me qeverinë që po shkon “, tha Kurti.

Ai shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe, ndodhi diçka e paprecedentë, pasi qytetarët po mbështetin VV-në më shumë se dyfish. Kurti theksoi se zgjedhjet janë shumë pranë por duhet të kenë një kujdes.

“Gjasat janë në këto zgjedhje nga lista jonë të bëhen deputet më shumë se 65 emra, nga një anë ky është lajm i mirë por ekziston edhe një fenomen që duhet të kemi kujdes. Nuk bën të ulim standardin e listës dhe Kuvendit. Parlamentarizmi në vitet e fundit kas ardhur duke u përkeqësuar. Të merr malli të dëgjosh një debat të vërtet politik e përfaqësues në Kuvend sepse më shpesh ose janë përplasje banale e brutale, ose janë diskutime të thata prej studentësh që duan të tingëllojnë si profesor“, tha Kurti.

Kurti shtoi se po mbajnë edhe zgjedhjet e brendshme të partisë, ku 300 pika nëpër komuna, kanë zgjedhur strukturat e tyre organizative.

LEXO EDHE:

Back to top button