1 maji, protestë masive në Shkup

Gazetar: Mefail Ismaili 

Mijëra punëtorë morën pjesë në protestën e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, për të kërkuar rritje të pagave prej së paku 2860 denarë, nënshkrim të Marrëveshjes Kolektive me Qeverinë, kthimi i të drejtës për K15, harmonizim gradual të pagave me rritjen e pagës minimale, numër më të madh të vendeve të punës, siguri në punë, pjesëmarrje aktive e sindikatave në politikat dhe strategjitë nacionale si dhe kërkesa të tjera. Marshi filloi para LSM-së, ndërsa protestuesit ndaluan fillimisht para Lidhjes së Odave Ekonomike ku kërkuan që punëdhënësit të respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe të rrisin pagat në suaza të ligjeve, shkruan Alsat.

“Paga më të mëdha prej nesër, për shkak se kriza ekonomike e hëngri pagën e punonjësve. Ta tërhiqni parashtresën për të dielën jo ditë pune, për shkak se ajo është realitet për punëtorin. Nuk do tu bëhemi shërbëtorë shtatë ditë në javë. Është mirë që ende në këtë mënyrë ju bëjmë thirrje dhe disi ju lusim. Do të mblidhemi, do të bllokojmë dhe kjo protestë lehtë do të rritet në grevë, ndërsa kjo do të thotë ndërprerje e punës”, tha  Darko Dimovski, kryetar i LSM-së

Punonjësit e vazhduan marshin para Qeverisë, ku shpalosën kërkesat e tyre, për të cilat e akuzuan pushtetin se ka qenë i shurdhër për një kohë të gjatë.

“Me këtë protestë dëshirojmë të tregojmë se në këto momente kyçe shteti, punëdhënësit dhe Qeveria nuk dëshmuan vullnet, efikasitet dhe konstruktivitet që rezulton me ndaljen e dialogut social….Barrën e krizës patjetër ta mbajnë të gjithë, e jo vetëm punëtorët…”, tha Ivan Peshevski, Sindikata e ndërtimtarisë, industrisë dhe projektimit

Punonjësit thonë se janë të pakënaqur me kushtet e punës dhe mënyrën e trajtimit të punëtorëve.

“Jemi të pa kënaqur me rrogat për momentin dhe kërkojmë nga institucionet që vlera e punëtorit të jetë më e çmuar në këtë vend ku jetojmë… për momentin marrim pagë që nuk i përmbush kushtet ekzistenciale për një familje”.

“Asnjë lloj kushtesh, gjithë jetën të kaluar me paga më të ulëta, në mobing, të pa paguar mjaftueshëm, ndërsa arsyeja nuk është të paga, nuk është tek populli, është tek ajo që ky shtet për 30 vite është shteti më kriminal në botë”.

“…të respektohet marrëveshja kolektive dhe ligji”.

“Të rritet numri i të punësuarve që të zvogëlohet ngarkesa në vendet e punës”.

“Duhet të gjithë të kenë jetë të denjë do të thotë për të gjithë të ketë jo vetëm për njerëz të caktuar… pak të shtrëngohen xhepat e tyre që të ketë për të gjithë”.

“38 vjet kam stazh, marrim për stazhin 4 000 – 5 000 denarë mëditjet që shkojmë në punë natën dhe ata aspak nuk na mbulojnë”.

Punëtorët dhe Sindikatat thonë se nuk do të ndalojnë të kërkojnë të drejtat e tyre derisa qeveria dhe punëdhënësit të dëgjojnë zërin e tyre. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button