Vetëm katër ditë në vitin 2026, sezoni i çmimeve në Hollywood për vitin 2026 u hap zyrtarisht me edicionin e 31-të të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Critics Choice Awards”. Ceremonia u mbajt të dielën mbrëma dhe u karakterizua nga stili elegant, por më i përmbajtur sesa vitet e kaluara.
“Critics Choice Awards” konsiderohen si parashikues i rëndësishëm për ceremoninë prestigjioze të ndarjes së çmimeve “Oscar” nga Akademia e Filmit, prandaj industria ndjek me vëmendje performancën e filmave më të përfolur si “Sinners” dhe “Hamnet”.
Përveç çmimeve, ngjarja shërben edhe si një parashikim i trendëve të modës që pritet të dominojnë deri te ndarja e çmimeve “Oscar” në mes të muajit mars.
Nëse ky tepih është një shenjë paralajmëruese, atëherë sipas CNN-it, dy muajt e ardhshëm do të dominohen nga fustane elegante me ngjyra të errëta, paleta e ngjyrave neutrale dhe veshje femërore të frymëzuara nga kostumet klasike mashkullore.
Organizatorët vendosën që hyrja në Barker Hangar në Santa Monica të shtrohej me tepih të zi, dhe jo të kuq, duke krijuar një atmosferë më serioze. Kjo u reflektua edhe në zgjedhjet e shumta të kostumeve dhe fustaneve të zeza.
Megjithatë, kreativiteti nuk mungoi.
Zërat kryesorë të filmit “KPop Demon Hunters” sollën qasje më lozonjare ndaj trendit monokromatik, sidomos Audrey Nuna, aktorja e zërit të personazhit Mira, me një fustan voluminoz me ngjyrë të zezë nga brendi “Marc Jacobs”.
Ndërkohë, aktoret, Teyana Taylor dhe Keri Russell u orientuan drejt kostumeve të strukturuara, me Russell që ra në sy me një kostum të ripunuar, të zbukuruar me një brosh.
Në anën tjetër, ylli i filmit “Marty Supreme”, Odessa A’zion, solli glamur klasik me një fustan nga brendi me seli në Dubai, “OTT”.
Aktorja, Chase Infiniti, mahniti me një kotum dypjesësh pa mëngë nga brendi “Louis Vuitton” në një nuancë të verdhë të zbehtë, ndërsa aktorja Elle Fanning zgjodhi arkivat, duke u shfaqur me një fustan të vjetër nga brendi “Ralph Lauren” që shkëlqente në nuancë ari.
10 dukjet që u komentuan më së shumti në tepihun e “Critics Choice Awards 2026”:








