109 raste të reja me simptoma helmimi në Gostivar, numri i përgjithshëm arriti në 4.303

Gazetar: Suad Bajrami

Vazhdon paraqitja e pacientëve me simptoma helmimi nga uji në Gostivar. Gjatë ditës së sotme janë regjistruar 109 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm ka arritur në 4.303.

“Me ditën e sotme kemi 109 kontakte të para të reja në Gostivar, domethënë numri lëvizë prej 80 deri në 125 në 4 ditët e fundit me atë që në këtë moment nuk mund të them se sa është ajo gjendje e rregullt dhe sa ajo është e lidhur me epideminë në Gostivar. Që ta bëjmë atë patjetër duhet të kemi anketa epidemiologjike”, Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski tha se ka kaluar faza akute e epidemisë, ndërsa tha se tani fokusi do të vendoset në ndjekjen e hepatit A ose E ose inflamacionit të mëlçisë. Për këtë do të dorëzohen udhëzime te mjekët amë, por edhe qendrat shëndetësore me qëllim të njohjes së hershme dhe veprimit në kohë.

“Faza akute e epidemisë është në qetësim, në konsultim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse, vendosëm që të përcaktojmë mbikëqyrje të përforcuar shëndetësore për fazën post-akute. Domethënë një alarm deri te mjekët amë dhe institucionet në Gostivar, që  fokusin ta vendosin në sfidat e radhës, para se gjithash ndjekjes së hepatit A dhe E, por edhe sëmundjeve tjera ngjitëse të cilat mund të paraqiten në bishtin e epidemisë së Gostivarit”, Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

I pyetur se kur do të lejohet që uji në Gostivar krahas nevojave teknike, të përdoret edhe për pije, Klekovski tha se për këtë duhet të dalin tre teste negative të njëpasnjëshme. E kur do të ndodh kjo, askush nuk e di, ndërsa tani për tani po punohet në pastrimin e ujësjellësit. Analizat paraprake kanë treguar se uji është pastruar nga fekalet dhe për këtë, prej ditës së djeshme është lejuar për t’u përdorur për nevoja teknike, respektivisht higjienë personale, pastrimin e enëve, por edhe për dhe nevoja tjera të amvisërisë. Megjithatë uji enda ndalohet për pije dhe përgatitje të ushqimit. Incidenti ndodhi pasi përgjegjësit e ujësjellësit në Gostivar, kanë vendosur pompa uji, të cilat kanë injektuar ujë të ndotur me fekale në ujësjellësin e Gostivarit. Për këtë u arrestuan drejtoresha dhe dy udhëheqës të ndërmarrjes. Hetimet nuk janë mbyllur. /Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button