Përfaqësimi, përplasje mes Frontit Evropian dhe VLEN-it për ligjin
Fronti Evropian nuk do ta mbështesë propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sipas tyre, zgjidhja ligjore që i është ofruar Kuvendit nuk e zgjidh përfaqësimin, por i dëmton pozitat e shqiptarëve dhe komunitetet tjera në administratën publike. Sipas deputet Ilir Hasani, shumica po tenton në mënyrë kontrabandeste ta miraton këtë ligj, por nuk do të kenë sukses.
“Shumica tani ka hapur disa seanca dhe i ka lënë të hapura për të gjetur momentin kur ne të opozitës mungojmë dhe ta vendos në rend ditë propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ta kontrabandon. Unë e thash edhe dje se neve seriozisht e kemi marrë këtë çështje. Jemi të vendosur për ta mbrojtur konceptin tonë se ai ligj nuk duhet të kalon. Neve në opozitë e kemi shumicën e badenterit”, deklaroi Ilir Hasani, Deputet i Frontit Evropian.
VLEN akuzoi sot BDI-në se me bllokadën e tyre ndaj propozim-ligjit, po vepron në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit.
“Në Reçicë të vogël kanë përgatitur një skenar të rrezikshëm. Duan të krijojnë përshtypjen se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara vetëm pse BDI-ja nuk është pjesë e Qeverisë. Për ta, duket se shqiptarët kanë të drejta vetëm kur ata janë në pushtet dhe kur njerëzit e tyre ulen në kolltuqet e institucioneve. Udhëheqësia e korruptuar e BDI-së nuk mund ta pranojë faktin se shumica e shqiptarëve e dërguan në opozitë. Prandaj tani ka vendosur të hakmerret pikërisht ndaj tyre, duke bllokuar ligjin që synon ta garantojë përfundimisht përfaqësimin e drejtë”, tha Driton Sulejmani, Zëdhënës i VLEN-it.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka mbetur si pikë e hapur në seancë plenare, por nuk është hedh në votim të rregullt dhe as me badenter për shkak se deputetët e opozitës vendosën të gjithë të paraqiten në sallë duke i dërguar mesazh të qartë shumicës se nuk e kanë badenterin dhe nuk do të mund ta kalojnë./Alsat.








