110 vjetori, parlament historik Kosovë-Shqipëri

110 vjetori, parlament historik Kosovë-Shqipëri

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Në 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Shqipëria e Kosova zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se të drejtat e shqiptarëve në tërësi janë çdoherë e më të avancuara. Ai tha se Kosova nuk do të pres kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë për t’u njohur përfundimisht ndërkombëtarisht.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë më të shkëlqyera thjesht, sepse jemi dy vende të ndara me dy shtete por të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive, më shumë se ç’kanë qenë kurrë ndonjëherë tjetër, dhe këtë e tregojnë faktet e prodhuara nga jo thjesht mbledhjen e përbashkëta të përvitshëm mes dy qeverise por nga vullneti dhe nga rritja e aftësisë jo thjesht për ta kuptuar në pranim por për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimit në interes reciprok”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Rama foli edhe për projektet e përbashkëta mes dy vendeve, duke u ndalur në veçanti tek porti i ri i Durrësit në Porto Romano, që do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se të dy shtetet duhet të jenë bashkë më shpesh dhe jo vetëm në organizime festash. Ai përmendi të kaluarën e lavdishme të UÇK-së, të cilën tha se duhet nderuar derisa punohet për të ardhmen.

“Na duhet të jemi më shpesh bashkë, e jo vetëm në kremte, e jo vetëm ne politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat njeri tjetrit pra të punojmë së bashku”, shtoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti vuri theksin tek ajo që është shqetësim i përbashkët i të dyja vendeve, largimi i të rinjve.

“E di se atje nuk po shkoni për qejf por prej brengës, e di që ende nuk kemi bërë mjaftueshëm që të ua kthejmë besimin e në institucione, në drejtësi, në shtet, në politikë, që ju ta mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj si opsioni më të mirë. Por ju garantoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund e do ta fitojmë edhe me ndihmën tuaj. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet, trojet ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë do të bëhen, edhe me ndihmën e Shqipërisë dhe të Kosovës”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se një bashkëpunim më i mirë mes dy vendeve i kontribuon përparimit të bashkësisë shqiptare në Ballkan si dhe e bën rajonin dhe Evropën më të qëndrueshëm.

“Sa më e zhvilluar të jetë bashkësia shqiptare në rajon, aq më i qëndrueshëm do të jetë edhe rajoni edhe Evropa. Shqipëria dhe Kosova si dy etnitete politike të shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratë integrimin evropian duhet të bashkëndajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve, për t’i shndërruar kufijtë shtetëror mes dy vendeve por edhe me vendet fqinj në kufij formal”, deklaroi Lindita  Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se interesat jetike të kombit shqiptar do të jetë më lehtë për t’i mbrojtur nëse Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë afër njëra-tjetrës.

“Bota sot është më e pasigurt se dje për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainë e cila e synon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet i lidhur me Rusinë sot është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shteti tonë. Serbia na lufton nga brenda dhe nga jashtë pa zgjedhur mjete prej diplomacisë e deri të financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria me Kosovën aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë”, u shpreh Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Mbledhjen e dy kuvendeve e përshëndetën kryetarët e grupeve parlamentare të kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë mbledhje që nga palët u quajt historike, në oborrin e Kuvendit u hap një ekspozitë me momentet më të rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, si dhe u organizua një koncert me këngë dhe valle popullore shqiptare./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button