113 vjetori i Kongresit të Manastirit – Shumë pengesa për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve

Përgatiti: Evi Shkopi

113 Vjetori i Kongresit të Manastirit u shënua edhe në Shkup. Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në vend e gjeti pothuajse gjysmak. Kjo pasi gjithçka ka mbetur në vullnetin e Institucioneve, sepse Inspektorati për Zbatimin e Ligjit ende nuk ka nisur me punën në terren, shkruan Alsat.

“Normalisht që kur të fillojnë inspektorët të dalin në terren, atëherë normalisht që kërkesa do të jetë më e madhe. Agjencia ka kapacitet dhe ka ekip efikas për t’u dalë në ndihmë të gjitha institucioneve”, tha Ylber Sela- drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.

Drejtori i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni, na informoi se nga java e ardhshme planifikojnë të nisin me inspektimet në terren. Edhe pse Ligji është sjellë që në fillim të vitit 2019, ka ende dokumente të cilat qytetarëve nuk u jepen në dy gjuhë.

Një rast i tillë është edhe me plotësimin e disa  formularëve për marrje të vërtetimeve nga Gjykatat Themelore, të cilat pranohen vetëm nëse plotësohen në alfabetin cirilik. Zv.Kryeministri Artan Grubi, tha se qytetarët kanë të drejtë  të refuzojnë pranimin e dokumentit për sa kohë që i njëjti nuk u jepet në gjuhën që e kërkojnë.

“Qytetarët kanë plotësisht të drejtë të mos pranojnë një formularë të tillë dhe të kërkojnë të mbushin formularin edhe në gjuhën shqipe. Unë jam i bindur se edhe Gjykatat, edhe Prokuroria do të adresojnë përdorimin e Gjuhës Shqipe, sepse e kanë detyrim ligjor. Uroj që të kenë kapacitetet e mjaftueshme njerëzore për ta zbatuar atë. Nëse nuk i kanë, jemi në proces të angazhimit të 160 përkthyesve në kuadër të Ministrisë për Sistem Politik”, u shpreh Artan Grubi – ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Në shënimin e Ditës së Alfabetit, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve promovoi librin “ Gjuha Shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.” Në këtë libër të përgatitur nga 6 autorë bëhet një studim shkencor mbi nivelin e zbatimit të këtij ligji në vendin tonë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button