Detaje të reja: Ja si ndodhi e gjithë ngjarja nga tentim vrasja e prokurorit të Gostivarit

Përgatiti: Igor Stefanovski

Nëse prokurori i Prokurorisë Publike në Gostivar, Hazbi Iseini, nuk do kishte armë nga e cila ka gjuajtur një plumb paralajmërues në ajër, duket se nuk do të shpëtonte nga drama jetësore në të cilën mezi shpëtoi, shkruan Alsat.

Ngjarja e rëndë në të cilën u sulmua me thikë ka ndodhur derisa prokurori në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Çegran të Gostivarit ishte duke vozitur rrugës me të afërmin e tij. Kur ka hasur në një automjet të parkuar në rrugë, ka bërë shenjë dhe ka kaluar.

Më pas tre të dyshuarit në veturën tjetër kanë filluar ta ndjekin dhe kur prokurori Iseini është ndalur, kanë filluar ta shajnë dhe të sillen në mënyrë agresive, edhe pse u është prezantuar dhe ka sugjeruar që të thërrasin policinë për të hapur rrugën.

“Të tre të dyshuarit kanë filluar ta godasin dhe i mituri nga xhepi ka nxjerrë një thikë me të cilën e ka goditur në anën e pasme të djathtë të gjoksit. Më pas ka tentuar ta godasë sërish me thikë. Duke parë se të dyshuarit synonin ta përfundojnë veprën penale dhe t’ia merrnin jetën, viktima ka nxjerrë një pistoletë të cilën e posedonte dhe ka gjuajtur një plumb paralajmërues në ajër, me çka edhe i ka ndalur”, thonë nga Prokuroria.

Të dyshuarit janë arratisur, ndërsa prokurori Iseini është dërguar në spitalin e Gostivarit. Të tre do të akuzohen për tentim vrasje. I dyshuari kryesor është një i mitur 17-vjeçar, i cili do të ndiqet penalisht sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve.

I dyshuari është babai 40-vjeçar i të miturit nga Çegrani, si dhe një 40-vjeçar nga fshati Cerovë e Tetovës. Ky rast është duke u trajtuar nga Prokuroria e Tetovës, për të evituar njëanshmërinë e mundshme nga Prokuroria Publike në Gostivar. Me kërkesë të prokurorisë së Tetovës, siç mëson Alsat, gjykata në Tetovë ka caktuar masën e paraburgimit për të miturin si dhe për të atin dhe shokun e tij. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button