1500 pacientë janë në dializë, mes tyre dhe një 3 vjeçar

1500 pacientë janë në dializë, mes tyre dhe një 3 vjeçar

Gazetare: Vjollca Aliti

51 vjeçari Kiro Hristovski tanimë një vit e gjysmë ka bërë transplantim të veshkave nga donator i vdekur. Ai ka qenë për tetë vite me radhë në dializë, në pritje të transplantimit. Në Maqedoninë e Veriut rreth 150 persona presin transplantimin e veshkave. Brenda vitit kryhen nga 20 deri 30 transplantime.

“Transplantimi është diçka më ndryshe se dializa. I rikthehesh thuajse tërësisht jetës normale. Dializa është tërësisht diçka tjetër. Unë kam marr veshkë nga kadaver që do të thotë donator i vdekur dhe tani është në rregull. Të japësh organe do të thotë të bësh gjest shumë të madh human, është guxim dhe shpëtim i shumë jetëve. Nuk flas vetëm për të sëmurët nga veshkat por dhe për transplantimin për mushkëritë e zeza dhe për të gjitha organet tjera që mund të transplantohet”, tha Kiro Hristovski, Pacient 51 vjecar.

Nefrologu Aleksandar Poposki thotë se në shumicën e rasteve pacientët me probleme të veshkave vijnë në fazë shumë të avancuar të sëmundjes. Sipas tij shpeshherë mjekët amë nuk japin udhëzime në kohë, ndërsa shpesh edhe vetë pacientët neglizhojnë.

“Më së shpeshti pacientët vijnë në fazë të vonuar. Shpesh mjekët amë i udhëzojnë vonë pacientët e tyre për tu kontrolluar për sëmundjet e veshkave, shpeshherë edhe vetë pacientët e shtyjnë shkuarjen në mjek.

Për shembull shumë pacientë me diabet nuk trajtohen deri në fazën e fundit kur sëmundja avancon shumë dhe vjen deri në fillimin e sëmundjeve të veshkave dhe atëherë progresi i sëmundjes vështirë ndalohet apo hiqet”, u shpreh Aleksandar Poposki, Drejtor i Nefrologjisë – “Strugë”.

Në të gjithë vendin 1500 pacientë janë në dializë, më i riu në moshë është vetëm 3 vjeçar. 240 pacientë kanë kryer transplantim të veshkave. Sëmundjet e veshkave janë ndër arsyet më të shpeshta për vdekjen e hershme. Vlerësohet se 80% e tyre shfaqen në vendet e varfra apo mesatarisht të varfra. 850 milion njerëz në gjithë botën kanë ndonjë formë të sëmundjes së veshkave ndërsa 2,6 milion njerëz në botë trajtohen me terapi adekuate. Nga 5-10,5 milion njerëz në botë kanë nevojë për dializë apo për transplantim, por shumica prej tyre për shkak të mungesës së resurseve dhe barrierave financiare, nuk munden as të transplantohen as të jenë në dializë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button