Gazetare: Andrea Çobanova
Qeveria dhe sindikatat nuk gjetën zgjidhje për rritjen graduale të pagave në administratë në mbledhjen e këshillit socio-ekonomik, shkruan Alsat.
Një pjesë e punonjësve të sektorit publik do të dalin në protestë paralajmëruese më 30 mars, në shenjë revolte. Sipas Konfederatës së Sindikatave të Lira, ndryshimet e djeshme të Qeverisë në Ligjin për nëpunësit administrativë u referohen vetëm punëtorëve që deri më tani kanë marrë pagë më të ulët se minimalja.
“Ka zgjidhje shumë të thjeshtë dhe ajo zgjidhje është që Qeveria të vendosë në ndonjë seancë të ngrihet vetëm pika e të punësuarve në sektorin publik dhe problemi zgjidhet. Ligji për nëpunësit administrativ është manipulim i madh, një ligj i tillë nuk ka kaluar as në këshillin socio-ekonomik, po mundohen të ngrenë pikën e atyre që janë në kategorinë më të ulët të të punësuarve dhe ajo është kategoria G që të gjithë të mund të marrin pagë minimale”, tha Bllagoj Rallpovski – Kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.
Sindikata e arsimit mbështeti gjithashtu protestën e Sindikatave, duke paralajmëruar grevë të përgjithshme në arsim më 11 prill.
“Fatkeqësisht, është evidente se Qeveria nuk ka interes për rritjen e pagave në këto veprimtari, dhe në veprimtaritë e tjera në sektorin publik. Nuk do të dalim për të protestuar tani për tani, për faktin se këtë javë po mbledhim opinione për të organizuar një grevë të përgjithshme, që duhet të fillojë më 11 prill”, deklaroi Jakim Nedelkov – Kryetar i SASHK-ut.
Qeveria sqaron se ndryshimet ligjore që kaluan në seancën e djeshme të qeverisë përfshijnë punonjësit me të ardhura të ulëta.
“Qëllimi kryesor i ligjit të miratuar dje është të arrihet barazia e punonjësve në sektorin privat dhe publik me të ardhurat më të ulëta, duke vendosur të njëjtën masë të pagës minimale ligjore, si dhe një rritje graduale të stafit administrativ në të gjitha nivelet”, tha Dushko Arsovski -Zëdhënës i Qeverisë së RMV-së.
Qeveria tha se ndryshimet e propozuara do t’i dërgojë sot në Kuvend. /Alsat.mk








