“27 Prilli”, Mickoski përsëri nuk u paraqit në gjykatë

Kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk erdhi sot për të dëshmuar në rastin “Organizatorët e 27 Prillit”. Kjo është seanca e dytë në të cilën, për shkak të obligimeve private, ai nuk shfaqet që të tregojë atë që e di për të enjten e përgjakshme. Nga partia thanë se Mickoski do të dëshmojë në seancën tjetër të planifikuar për të premten. Pastaj thuajse e gjithë udhëheqja e vjetër e VMRO DPMNE-së, pritet të paraqitet si dëshmitarë, përfshirë të burgosurën Gordana Jankulovska. Ish kryetari i Komunës së Shkupit, Koce Trajanovski, flet për protestat e organizuara nga “Për Maqedoni të Përbashkët”.

Unë kurrë nuk kam nxitur askënd që të protestojë, as që kam ndikuar te ndërmarrjet publike nën ombrellën e Qytetit, punonjësit të protestojnë. VMRO DPMNE nuk mori pjesë në organizimin e këtyre protestave, të cilat partia i vlerësoi si paqësore dhe spontane – tha Koce Trajanovski, dëshmitar.

Një këshilltar teknik ishte gjithashtu në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes. Ai para gjykatës paraqiti një ekspertizë nga telefonat e Aleksandar Vasilevski – Ninxhas, një dëshmitar kryesor i prokurorisë. Këshilltari teknik pretendon se Ninxha nuk ka qenë në ndërtesën e VMRO – DPMNE-së, deri në orën 22, në kundërshtim me dëshminë e tij se ai ishte në Pallatin e Bardhë rreth orës 18 të datës 27 Prill 2017. Këtë e treguan stacionet bazë të operatorëve mobil.

Koha dhe vendi që ai flet, se ka qenë dhe ka marrë pjesë në diçka është e pavërtetë – u shpreh Elenko Milanov, avokat.

Trajko Veljanoski, Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe ish-kreu i DSK-së Vlladimir Atanasovski akuzohen për organizimin e “27 Prillit”. Pothuajse një muaj më parë, Kryeministri Zoran Zaev dëshmoi për rastin dhe tha se Janakieski, Ristovski dhe Veljanoski nuk ishin organizatorët e ndërhyrjes së dhunshme në Parlament, por i arratisuri Nikolla Gruevski.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button