29 vjet nga atentati ndaj Kiro Gligorovit

29 vjet nga atentati ndaj Kiro Gligorovit

29 vjet më parë më 3 tetor u bë atentati ndaj presidentit të parë të Republikës së pavarur të Maqedonisë, Kiro Gligorov, i cili mbijetoi me lëndime të rënda në kokë. Në vendin e atentatit humbi jetën shoferi i tij Aleksandar Spirovski, ndërsa truproja e Gligorovit, Ilço Teovski u plagos. Si pasojë e lëndimeve ka humbur jetën edhe kalimtari Hristo Hristomanov, ndërsa të lënduar kanë mbetur edhe Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski.

Nga hetimet u konstatua se atentati ishte i përgatitur dhe i organizuar mirë. Nuk dihet se kush qëndron pas atentatit, ndërsa procedura hetimore ndaj një autori të panjohur është ende e hapur.
Sulmi është kryer me autobombë në vitin 1995 në ora 09:50 në rrugën “Maqedonia” përballë hotelit “Bristol” në Shkup kur Gligorov me veturë zyrtare po lëvizte nga banesa e tij për në vendin e punës në Kuvend.

20 kilogramë eksploziv ishin fshehur në një makinë “Citroen Ami 8”, e aktivizuar me telekomandë kur automjeti i Gligorov ishte duke lëvizur drejt ndërtesës së Kuvendit. Para shpërthimit automjeti zyrtar i presidentit në rrugën “Maqedonia” është ngadalësuar nga një makinë tjetër.

Në hetim u kontrolluan 30.850 automjete, u kontrolluan mbi 15.000 objekte dhe u identifikuan mbi 188.000 persona, nga të cilët 19.000 u kontrolluan. Ministria e Punëve të Brendshme zhvilloi disa intervista informative me persona që i konsideronte si autorë të mundshëm të atentatit, por të gjithë pas marrjes në pyetje u lanë të lirë.

Kiro Gligorov vdiq më 1 janar 2012 në moshën 94 vjeçare.

LEXO EDHE:

Back to top button