Në fillim të sezonit të ngrohjes, banorët e 320 ndërtesave të banimit në Shkup nuk do të kenë ngrohje qendrore në kohë. Këto janë objekte që lidhen me sistemin e energjisë termike të Balkan Energy Group (BEG). Nga BEG thonë se këto janë probleme me nënstacionet. Gjatë inspektimit të ndërtesave, shërbimet e kompanisë gjetën dyer të bllokuara ku ndodhen nënstacionet, dhe në disa raste energjia elektrike ishte ndërprerë për shkak të faturave të papaguara. Nga Komisioni Rregullator i Energjisë thonë për Alsat se këshillat e banorëve ose menaxherëve të ndërtesave t’i shlyejnë faturat në kohë në mënyrë që nënstacionet të mund të punojnë vazhdimisht në dimër.
Është një risi që BEG planifikon ta zbatojë, më saktë, nëpërmjet SMS porosisë të informohen konsumatorët që kanë probleme me dërgimin e energjisë për ngrohje, që të njoftohen rreth arsyeve për ndërprerjen e dërgimit. Shpesh ndodh që në ndërtesë me më shumë hyrje dhe me shumë banesa, të ketë problem vetëm tek një konsumator me radiatorët dhe që duhet të shkyçet e tërë ndërtesa. Në këtë rast, banorët duhet të informohen për këtë – deklaroi Marko Bislimovski- kryetar i KRRE-së.
Lidhur me qytetarët që ngrohen me inverterë apo me alternativa tjera me rrymë, nga centralet e shtetit shprehen se në kohë dhe pa probleme do të hyjnë në sezonin e ri të ngrohjes dhe se rrymë ka mjaftueshëm për të gjithë.
Nëse të gjithë shfrytëzuesit janë lidhur legalisht në rrjetin e shpërndarjes, nuk do ketë mbingarkesë të rrjetit. Mbingarkimi ndodhë atëherë kur qytetarët lidhen ilegalisht. Gjithsesi, lidhja e paligjshme shkakton defekte që shumë vështirë dhe një kohë të gjatë riparohen, shkaktojnë dëme materiale dhe rrezikim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve – njoftojnë nga EMV.
Pjesa më e madhe e qytetarëve shtëpitë e tyre ende i ngrohin me dru, që janë opsion më i lirë se shporete me peletë dhe metodat tjera alternative për ngrohje.
Ile Petreski








