Siljanovska fituese e zgjedhjeve presidenciale, diferenca kundrejt Pendarovskit shumë e lartë

Siljanovska fituese e zgjedhjeve presidenciale, diferenca kundrejt Pendarovskit shumë e lartë

Gazetare: Ajnur Bafqari

Maqedonia e Veriut votoi për presidentin e 7, që nga pavarësia e shtetit, dhe për herë të parë në historinë e vendit kandidati që mori shumicën e votave është femër. Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE-ja mori mbi 560 mijë vota të qytetarëve, apo mbi 65 për qind. Siljanovska faktin që për herë të parë vendi do të ketë presidente e cilësoi si inspirim, ndërsa u zotua se do të bëjë gjithçka që mbi baza të kompetencave të mbrojë interesat kombëtare dhe shtetërore.

“Unë do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, kjo nënkupton e të gjithë grupeve etnike, të gjithë anëtarëve të partive dhe atyre që nuk janë nëpër parti, sepse asnjë president, veçanërisht jo femër, nuk mund të bashkojë, të gjurmojë pas unitetit, nëse mban linja partiake. Nuk pajtohem me tezën se votat i kemi fituar dhe i kam fituar për shkak të ngjyrimit me nacionalizëm. Kjo nuk është aspak e saktë”, tha Gordana Siljanovska.

Kundërkandidati i Siljanovskës, presidenti i deritanishëm, Stevo Pendarovski arriti të sigurojë vetëm 251.541 vota, apo rreth 29 për qind. Ai e pranoi humbjen dhe e uroi presidenten e re.

“Në pajtueshmëri me rezultatet që i pamë deri më tani, t’u uroj fituesve, t’u dëshirojë punë të suksesshme në 4, respektivisht 5 vitet e ardhshme. Koncepti im për Maqedoni shumëetnike, e integruar tërësisht në strukturën euroatlantike, sot për fat të keq nuk mori mbështetje nga qytetarët”, deklaroi Stevo Pendarovski, ish kandidat për president.

Siljanovska dhe Pendarovski garuan bashkë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve paraprake presidenciale të vitit 2019. Pendarovski pati siguruar mbi 51,5 për qind të votave, ndërsa Siljanovska mbi 44.5 për qind. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button