42 vite nga përurimi i Muzeut të Skënderbeut
42 vite nga përurimi i Muzeut të Skënderbeut
Sot, 42 vite më parë është bërë përurimi Muzeut Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Krujë.
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, ndodhet në Krujë dhe është një nga më të vizituarit në Shqipëri.
Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë te muzeut janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha (e bija e Enver Hoxhës).
Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Muzeu u ndërtua në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV.
Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.