6 të burgosur ende në arrati, Pandov: Arsyet e arratisjeve janë edhe kushtet ç’njerëzore

6 të burgosur ende në arrati, Pandov: Arsyet e arratisjeve janë edhe kushtet ç’njerëzore

Gazetar: Mihaillo Donev

Burgu “Shkup” në Shutkë nuk është i mbrojtur mirë, duhet të vendosen tela më të lartë dhe të ketë kamera, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë për ekzekutim të sanksioneve, Aleksandar Pandov, pas arratisjes së fundit të 10 personave nga burgu i Shutkës, katër prej të cilëve janë kthyer kurse gjashtë janë ende në arrati, shkruan Alsat.

Pandov thotë se në burgjet e vendit mungojnë 200 deri në 300 policë të burgjeve, ndërsa si arsye për arratisjet ka theksuar kushtet e këqija në disa nga burgjet.

“Për herë të parë hyra në pjesën e paraburgimeve në burgun e Shutkës, atje po të lidhësh qen, mendoj se për kohë të shkurtër do ta lëshojë shëndeti, truri e gjithçka tjetër. Aty ka qeli që janë nën çdo dinjitet njerëzor, kështu që nuk e kisha parë as në film në qelitë e caktuara ku hyja, tani u tmerrova përsëri, është nën çdo dinjitet njerëzor”, tha Pandov.

Përveç arratisjeve në Shutkë, së fundi drejtori i burgut në Strumicë ka deklaruar se nga aty kanë ikur 23 të burgosur, por Pandov thotë se nuk janë regjistruar me kohë, respektivisht 18 janë arratisur në vitin 2020, ndërsa të tjerët gjatë vitit 2024. Sipas Pandovit dhe drejtorit të burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski, shumica e këtyre arratisjeve nuk janë klasike kur i burgosuri kapërcen pengesë dhe arratiset, por janë rastet e arratisjeve kur të burgosurit i keqpërdorin përfitimet e dhëna.

“Termi arratisje që thonë në Maqedoni i referohet personave të cilët kanë marrë trajtim të rregullt dhe kanë marrë disa beneficione, fundjavë, pushim vjetor ose shtatë orë mungesë dhe e kanë keqpërdorur atë përfitim dhe nuk janë kthyer në institucion. Në burgun e Idrizovës, që nga ekzistenca e tij e deri më sot, kemi rreth 111 arratisje të tilla”, u shpreh Zoran Jovanovski, drejtor i IKN Idrizovë.

Ndryshe, sot Pandov dhe Jovanovski vunë në përdorim repartin e pestë të rinovuar në burgun e Idrozovës, i cili do të mund të akomodojë 100 të burgosur në kushte më të mira se më parë. Drejtori Jovanovski po ashtu theksoi se mjetet për riparimin e këtij reparti të burgut janë siguruar nga donacionet./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button