9 vjet nga sulmi në Kuvend, që cilësohet si një nga ngjarjet më të dhunshme në historinë e Maqedonisë
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
9 vjet nga sulmi në Kuvend, që cilësohet si një nga ngjarjet më të dhunshme në historinë e Maqedonisë. Gjithçka ndodhi pas votimit të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, ndërsa një grup i qytetarëve që protestonin jashtë objektit të shtëpisë legjislative u futën brenda në mënyrë të dhunshme. Turma u fut brenda pasi disa deputetë të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së ua hapën dyert, ndërsa nuk reaguan forcat policore të angazhuara për të ruajtur rendin.
Huliganët, sapo hynë brenda filluan të sulmojnë deputetë e gazetarë, ndërsa cak të veçantë kishin kreun e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela i cili përfundoi me pasoja më të rënda nga dhuna si dhe ish-kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev.
Rasti i Selës, fotografitë e të cilit u shpërndanë gjithandej, tërhoqi vëmendjen e faktorit ndërkombëtar. Për incidentin, menjëherë reaguan ambasadat dhe figura të larta shtetërore nga BE dhe SHBA, të cilët bënë thirrje për maturi dhe qetësi, ndërsa lideri i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski e dënoi dhunën, ndonëse LSDM e akuzonte si organizator.
Gjashtë muaj më vonë u hapën hetimet për rastin duke e cilësuar si “cenim terrorist i rendit kushtetues” nga Prokuroria Publike.
Gjykata penale i shpalli fajtorë 16 persona dhe i dënoi me gjithsej 211 vite burg. Mes tyre ishte edhe ish ministri i Brendshëm Mitko Çavkov, por edhe Abdulfetah Alimi, i cili kishte shpëtuar Selën nga Turma.
Ndërkohë në vitin 2018 Kuvendi miratoi Ligjin për Amnisti, ndërsa me të u përfshinë deputetë që hapën dyert e Kuvendit, e të cilët më vonë votuan ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit. Megjithatë, amnistia nuk i përfshiu të gjithë të akuzuarit.
Ndërkohë Prokuroria hapi dhe rast për organizatorët e 27 prillit, në të cilin akuzoheshin ish kryeminstri Nikolla Gruevski, ish kryeparlamentari Trajko Veljanovski dhe ish ministrat e Transportit dhe Arsimit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski.
Pas 7 vitesh zvarritje, në vitin 2024 vetë Prokuroria ka dorëzuar mendim në Gjykatën Penale se amnistia e vitit 2018-të duhet të të vlejë edhe për organizatorët.
27 prilli mbetet njollë e zezë në historinë e demokracisë në Maqedoni./Alsat.mk.








