Rishikimi i buxhetit- “paratë të përdoren për rritjen e pagave”

Rishikimi i buxhetit- "paratë të përdoren për rritjen e pagave"

Gazetare: Andrea Çobanova

Paratë nga shkurtimi i shpenzimeve joproduktive nga propozim rebalanci në vlerë prej 200 milionë euro, Qeveria mund t’i përdorë për të plotësuar kërkesat e sindikatave. Edhe pse në periudhë afatgjatë kjo mund të shkaktojë inflacion shtesë, autoritetet duhet t’i përmbahen rritjes së premtuar të pagave në bazë të asaj minimale, thotë profesori Abil Baush. Pas rritjes së pensioneve dhe pagave në arsim, anëtarët e tjerë të Lidhjes së Sindikatave kërkuan takim urgjent me autoritetet që shteti t’ua realizojë premtimin e rritjes së pagave të punëtorëve për 2806 denarë.

“Tashmë ka një marrëveshje me SASHK-un, që do të duhet të zbatohet në shtator menjëherë pas miratimit të rebalancit, dhe në anën tjetër kemi marrëveshjet kolektive me sindikatat që Qeveria do të duhet t’i zbatojë. Duhet të ketë rritje pagash, sepse me vetë vendosjen e pagës minimale dhe me llogaritjen e disa pagave me mesataren, tashmë krijohet një efekt domino. Nëse nuk kanë llogaritur mirë në këtë rebalancë të buxhetit, kam frikë se në tetor do të bëhet sërish një rebalancë”, deklaroi Abil Baush, ekonomist.

Rebalanci pritet të miratohet gjatë javëve të ardhshme. Po ashtu, për të përmirësuar kondicionin e buxhetit, Qeveria ka paralajmëruar një huamarrje prej 900 milionë eurove. Kjo, sipas profesor Baush, do të ketë një ndikim negativ në borxhin publik të vendit në afat të gjatë.
Me rebalancin e ardhshëm, shteti pritet të shpenzojë 4,7 miliardë euro. Kjo është 260 milionë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht kur buxheti u miratua në dhjetor. Deficiti buxhetor do të jetë afër 700 milionë euro. Ai do të mbulohet nga kreditë e bankave vendase dhe fondet monetare ndërkombëtare. Disa prej tyre do të shpenzohen për shlyerjen e borxheve të vjetra. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button