Usje / Aktivistët kërkojnë standarde të larta

Gazetar: Melihate Rrustemi

Leja e re ekologjike për fabrikën e çimentos “Titan-Usje” ka nxitur debat mes institucioneve, kompanisë dhe aktivistëve të ambientit. Përfaqësuesit e nismës qytetare “Stop për Usje” kërkuan që në lejen e re të përfshihen qartë standardet evropiane, me kufij më të ulët për ndotjen. Sipas tyre, draft dokumenti nuk sjell ndryshime të mjaftueshme dhe nuk parashikon kontroll të plotë për ndotës si metalet e rënda dhe substanca të tjera të rrezikshme.

“Vërejtja kryesore është se nuk ka ndryshime thelbësore në kufizimet e emisioneve. Mungojnë parametra si metalet e rënda, uraniumi, që do të thotë se për këta ndotës nuk ka detyrime të qarta. Për më tepër, monitorimi dhe transparenca mbeten në nivel të ulët”, tha Aktiviste Stop Usje.

Natasha Bakreska, menaxhere për mjedisin jetësor në “Titan-Usje”, theksoi se procesi i rinovimit të lejes është i rëndësishëm si për kompaninë, ashtu edhe për publikun.

“Ky proces i rinovimit të lejes së integruar ekologjike të kategorisë ‘A’ është i rëndësishëm jo vetëm për ne si kompani, por edhe për publikun, sepse na mundëson t’i prezantojmë të gjitha të dhënat para institucioneve dhe opinionit profesional. Qëllimi ynë është i qartë, të vazhdojmë të punojmë në përputhje me ligjet, standardet evropiane dhe parimet e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Natasha Bakreska, Titan Usje.

Nga Ministria e Ekologjisë thanë se procedura po zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe rregulloren e re.

“Leja e re do të bazohet në Ligjin për Kontrollin e Emetimeve Industriale, i cili respekton Direktivën Evropiane për Emetimet Industriale”, deklaroi Besa Tateshi, Ministria e Ekologisë,

Debati u zhvillua në kuadër të zbatimit të Ligjit të ri për Kontrollin e Emetimeve Industriale, i cili harmonizohet me legjislacionin evropian dhe do të nisë të zbatohet plotësisht vitin e ardhshëm./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button