A do shpërbëhet të hënën këshilli i komunës së Tetovës
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Këshilli komunal i Tetovës ka pranuar sot nismën e BDI-së për të qenë pjesë e pikave të rendit të ditës në mbledhjen këshillit ditën e hënë. Nisma e BDI-së ka të bëj me rivotimin e vendimit të vitit 2007 për emrat e rrugëve dhe sheshit të Tetovës, që muaj më parë e abrogoi Gjykata Kushtetuese. Këtë sot e pranoi edhe zyrtarisht kreu i këshillit komunal të Tetovës Jusuf Abduli.
“Unë si kryetar këshilli mora informacionin nga Arkivi i komunës, pra të njëjtën kërkesë që ka parashtru opozita që të jetë si pikë shtesë në seancën e radhës të 15, pra riemërtimi i rrugëve del që kërkesa e tyre është e ngjashme me vendmin të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Po kjo do të diskutohet dhe do debatohet në seancën e ditës së hënë. Kështu që, në rast se kjo pikë miratohet hynë në seancë mundësitë janë të mëdha që këshilli të bie dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Por si do që të jetë ky është vullneti i këshilltarëve, pra nëse opozita është e gatshme për zgjedhje ne sigurisht që jemi të përgatitur për këtë pjesë”, deklaroi Jusuf Abduli, Kryetar i këshillit komunal Tetovë.
Por, çndodh nëse kjo pikë votohet? Sipas Nenit 75 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, nëse ndodh që për të dytën herë të votohet një vendim që ka rëzuar Gjykata Kushtetuese, këshilli komunal shpërndahet automatikisht dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ky skenar, ka shumë të ngjar që të ndodh në seancën e ditës së hënë që pritet të mbahet në këshillin e komunës së Tetovës.
Ekipi i televizionit Alsat, kontaktoi edhe me Bashkimin Demokratik për Integrim nga u shprehën se kërkesa e këshilltarëve të BDI-së nuk është aspak për shpërbërje të këshillit komunal sepse është e plotësuar me 68 emra shtesë, ndërsa u shprehën të gatshëm për tu përballur edhe me zgjedhje të parakohshme për këshillin komunal, u shprehën nga BDI.
Burime nga VLEN për Alsat kanë theksuar se e kanë pranuar nismën e BDI-së për shkak se vlerësojnë se janë plotësuar kushtet që të shkohet në zgjedhje të parakohshme për këshillin komunal. Seanca e këshillit është caktuar për ditën e hënë më 13 korrik, ku në rend dite do të jetë edhe pika për rivotimin e vendimit të vitit 2007 për emrat e rrugëve në Tetovë. Fillimisht për këtë pikë pritet të zhvillohet debat mes këshilltarëve dhe më pastaj të vihet e njëjta në votim./Alsat.mk








