A do të mjaftojnë 65 milionë eurot për përballimin e krizës energjetike?

Përgatiti: Ile Petrevski

Buxheti i paraparë fillimisht për përballimin e krizës energjetike prej 65 milionë euro, sipas Qeverisë për momentin është i mjaftueshëm, shkruan Alsat.

Paratë do të ndahen në tre pjesë. Një pjesë do të jetë për furnizimin me thëngjill, një pjesë për blerjen e energjisë elektrike nga jashtë, dhe pjesa tjetër për ruajtjen e gjendjes financiare të dy kompanive shtetërore të energjisë, EMV dhe MEPSO. Nëse ka nevojë për më shumë para, ato do të ndahen nga buxheti i vitit të ardhshëm, tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

https://youtu.be/kLcHrdJRHxI

“Ne kemi bërë një pako masash që kushton 65 milionë euro, të cilat besojmë se do të na bëjnë në gjashtë muajt e ardhshëm të sigurojmë, që as familjet dhe as ekonomia të mos shqetësohen realisht për të ardhmen e tyre dhe krizën energjetike”, u shpreh Fatmir Bytyqi -Zëvendës Kryeministër për Ekonomi.

Por opozita nuk mendon kështu. Nga VMRO-DPMNE thonë se përveç ndikimit të jashtëm, ndikim të madh në gjendjen e keqe energjetike ka edhe keq menaxhimi me kompanitë energjetike. Opozita kërkon përgjegjësi dhe përgjigje për atë sesi erdhi deri në këtë gjendje  në sektorin e energjisë.

“Pse erdhëm në situatë të importojmë qymyr? Pse lejuam që anija të fundoset në ujë? Pse nuk gjejmë qymyr në serinë e ulët të qymyrit? Pse e shtymë blerjen e mekanizimit që duhej të blihej në vitin 2017? Ka vetëm disa kamionë, dhe shikoni çfarë absurditeti- qëndrojnë në TEC Manastir sepse nuk ka shoferë. E ku janë shoferët? Të gjithë janë promovuar para zgjedhjeve dhe tani nuk ka kush t’i drejtojë”, tha Gordana Dimitrieska Kocoska VMRO-DPMNE.

Në dhjetë ditët e fundit, një sërë defektesh kanë prekur prodhuesin më të madh të energjisë elektrike në vend, TEC Manastir dhe kjo e ka rënduar edhe më shumë situatën. Për këtë shkak, termocentralet shtetërore EMV u detyruan të blejnë energji elektrike të shtrenjtë nga bursat ndërkombëtare. Ndryshe, drejtori i MEPSO-s Kushtrim Rexhepi për Alsat theksoi se të paktën 150 milionë euro është vrima në sektorin e energjisë, por informacionet tona thonë se minusi në këtë sektor kalon 300 milionë euro./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button