Aktakuzë ndaj 31 personave, keqpërdorimi në EMV, 6,5 mln euro
Aktakuzë ndaj 31 personave, keqpërdorimi në EMV, 6,5 mln euro

Pas një hetimi gati tre-mujor, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi aktakuzë në Gjykatën Penale për rastin “Aditivët”, i cili ka të bëjë me krimin në kompaninë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”. Aktakuza përfshin gjithsej 31 persona dhe pesë persona juridikë. I akuzuari i parë ndiqet për kryerje të papërgjegjshme të detyrës, ndërsa gjashtë persona akuzohen për veprat penale të bashkimit kriminal dhe keqpërdorimit të procedurës së thirrjes publike.
Të tjerët akuzohen për pastrim parash dhe përfitime të tjera nga vepra penale. Sipas aktakuzës, të akuzuarit i kanë mundësuar personit juridik të fitojë kontratë për furnizim publik të aditivëve dhe në këtë mënyrë të ketë përfitime të mëdha materiale. Ndërkaq me qëllim të fshehjes së qarkullimit të parave, të akuzuarit kanë pranuar para të cilat i kanë vënë në qarkullim, në vlerë totale prej rreth 6.8 milionë eurosh. Në mesin e të akuzuarve në rast janë ish-drejtori i EMV-së, Vasko Stefanov, si dhe paraardhësi i tij në këtë funksion, Vasko Kovaçevski, i cili ndodhet jashtë vendit dhe për të cilin është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar. /alsat.mk