Afër vendimit për viza, Franca i diskuton me Kosovën

Afër vendimit për viza, Franca i diskuton me Kosovën

Franca e presidentit Emanuel Macron sa herë është pozicionuar për punën e liberalizimit të vizave për Kosovën ka përmendur se Kosova duhet të punojë ende për përmbushjen e kushteve, duke theksuar në mënyrë specifike luftimin kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe duke treguar shqetësimin për çështjen e migrimit ilegal.

Institucionet e Republikë së Kosovës kohëve të fundit kanë shpeshtuar kontaktet me institucione e Francës. Për një vizitë zyrtare atje po qëndron Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmedi, i cili ka takuar Drejtorin e Policisë Kufitare të Francës, Fenand Gontier.

Temat e diskutuara në këtë takim kanë qenë forcimi i bashkëpunimi kufitar, migrimi ilegal, trajnime dhe teknikat e avancuar të kontrollit kufitar dhe luftimi i kontrabandës.

Në këtë takim kanë diskutuar në mënyrë specifike edhe për punën e përmbushjes së kushteve për liberalizimit të vizave.

“Po ashtu pjesë e diskutimit në këtë takimi ka qenë edhe vlerësimi dhe ndihma në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Takimi rezultoi me vullnetin dhe shprehjen e gatishmërisë për bashkëpunim të ndërsjellë në fusha të ndryshme e në veçanti me Policinë Kufitare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Takimi i Drejtorit të PK-së me Drejtorin e Policisë Kufitare të Francës
Në Paris gjatë muajit maj ka qëndruar për vizitë zyrtare edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka takuar krerët e të institucioneve të sigurisë franceze, për ta diskutuar progresin e Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Gjatë vizitës sime në Paris, takova përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Policisë Kombëtare dhe Gjandarmërisë për ta diskutuar progresin tonë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, kishte shkruar Sveçla.

Porosi Kosovës për të punuar me vendet skeptike dhe për t’ua prezantuar rezultatet e punës në çështjet specifike, të cilat Franca në vazhdimësi i përmend si kushte, i kishte dhënë ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Gjermania dëshiron progres në këtë çështje dhe e ka futur atë në agjendë në Bruksel. Megjithatë, nuk janë bindur akoma të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Njëkohësisht është me rëndësi për Kosovën që të angazhohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjitha vendet skeptike në mënyrë që t’i bind ato”, kishte thënë Rohde në një intervistë në vitin 2020 për Gazetën Express.

Vizita e kreut të policisë vjen në prag të takimit të radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor, takim në të cilin janë rritur pritjet se do të mund të ketë ndonjë vendim eventual për punën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Derisa çështjen e liberalizimit të vizave e ka sjell në vëmendje presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, i cili gjatë një konference për media ka thënë se Kosovës do t’i jepet liberalizimi i vizave.

 

LEXO EDHE:

Back to top button