Agjendë e ngarkuar në Kuvend deri në fund të vitit – Këshilli Gjyqësor, Kodi Penal dhe zgjedhja e ministrave në fokus

Agjendë e ngarkuar në Kuvend deri në fund të vitit - Këshilli Gjyqësor, Kodi Penal dhe zgjedhja e ministrave në fokus

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deri në fund të viti, ligjvënësi do të ketë agjendë të ngjeshur. Në rend dite për seancën e ditës së nesërme është Ligji për Këshillin gjyqësor, një ndër nismat e shumëpritura që është pjesë e Agjendës së reformave. Me këtë ligj, pritet të ketë rregulla të reja për zgjedhjen e Këshillit gjyqësor, përcaktimi i kompetencave dhe shkarkimi i tyre.

Në seancën e nesërme pritet të ndryshohen dhe plotësohen edhe ligje që kanë të bëjnë me sistemin Safe City.

Në datën 23 dhjetor, Kuvendi do të organizojë seancë për fjalimin e fundvitit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova.

Në datën 24, në rend dite është shkarkimi i ministrit Orhan Murtezani dhe zgjedhja e ministrave të rinj, Bekim Sali dhe Muhamed Hoxha.

Në datën 25 do të jetë seanca e fundit me pyetje deputetësh për këtë vit.

Kreu i Kuvendit Afrim Gashi, në takimin e zakonshëm me gazetarët, tha se nuk përjashtohet mundësia që të thirren edhe seanca të tjera, për çështjet për të cilat duhet të shfrytëzohet afati i fundit.

Deri në fund të vitit, Kuvendi pret të bëjë edhe ndryshimet e Kodit Penal, të sugjeruara nga Gjykata Kushtetuese. Këtu hyn ndryshimi i nenit problematik 353 me të cilin vite më parë u lehtësua dënimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Nuk është akoma e qartë nëse do të kthehet neni i vjetër ose të propozohet zgjidhje e re.

Pa zgjidhur rrezikon te mbetet zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit. Ushtruesit të detyrës Avokat i Popullit i skadon mandati në 1 janar, prandaj rreziku që ky institucion të bllokohet tërësisht është i madh. Çështja është e hapur në Kuvend por nuk ka marrëveshje politike për miratim.

Në koordinimin e sotëm mes grupeve parlamentare gjithashtu është marrë vendim për formimin e grupit të punës për Kodin zgjedhor të cilin do ta drejtojë kreu i Kuvendit Gashi. Në grupin e punës do të marrin pjesë nga dy përfaqësues të të gjithë grupeve parlamentare kurse do të gjendet mekanizëm edhe pr përfshirjen e deputetëve që nuk janë të organizuar në grupe parlamentare. Gashi tha se ndërkohë, do të përfshihen edhe përfaqësues të institucioneve relevante për zbatimin e Kodit zgjedhor. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button