AI akuzon Iranin për “shkelje tronditëse të të drejtave të njeriut”


Organizata Amnesty International (AI) ka akuzuar Iranin për kryerjen e “një sërë shkeljesh tronditëse të të drejtave të njeriut” kundër atyre që u arrestuan në lidhje me protestat e zhvilluara në nëntor të vitit 2019.

Demonstratat e dhunshme u shkaktuan nga një rritje e papritur e çmimit të benzinës dhe u përhapën në rreth 100 qytete iraniane.

Autoritetet u përgjigjën me forcë, duke vrarë të paktën 304 protestues dhe arrestuar disa mijëra të tjerë, sipas Amnesty International.
Irani gjithashtu ndaloi internetin për disa ditë me qëllim që të pengojë publikimin e informacioneve.

Në një raport të lëshuar më 2 shtator, grupi i të drejtave të njeriut me qendër në Londër thotë se policia e Iranit, forcat e inteligjencës dhe të sigurisë dhe zyrtarët e burgut, në bashkëpunim me gjykatësit dhe prokurorët kanë bërë ndalime arbitrare, zhdukje të detyruar, tortura dhe keqtrajtime tjera kundër protestuesve, kalimtarëve të rastit dhe të tjerëve që janë arrestuar gjatë dhe pas protestave të vitit 2019.

AI thotë se raporti bazohet në intervistat me 60 viktima ose të afërm të tyre. Grupi thotë se ai ka marrë gjithashtu informacione nga disa qindra të tjerë, brenda vendit, derisa ka analizuar gjithashtu pamjet e videove dhe dokumentet gjyqësore.

“Në ditët pas protestave masive, videot tregonin sesi forcat e sigurisë së Iranit kanë vrarë dhe plagosur qëllimisht protestues dhe kalimtarë të paarmatosur duke nxitur tronditje në të gjithë botën”, tha Diana Eltahawy, zëvendës drejtore rajonale e Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Amnesty International thotë se ka regjistruar emrat dhe detajet e më shumë se 500 protestuesve dhe të tjerëve, përfshirë gazetarë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, të cilët i janë nënshtruar “procedurave të padrejta penale” në lidhje me protestat.

Amnesty International thotë se shumë prej të arrestuarve iu nënshtruan torturave dhe keqtrajtimeve të tjera.

“Ata zhyten një peshqir në ujë dhe e vendosnin mbi fytyrën time. Pastaj ata hidhnin ujë ngadalë mbi peshqirin, gjë që më bëri të ndihesha sikur isha duke u mbytur”, ka thënë një dëshmitar për Amnesty International.

LEXO EDHE:

Back to top button