Aliu nxori “jashtë loje” Arben Fetain, Musa e Demiri përfaqësues politik të ASH-së
Aliu nxori “jashtë loje” Arben Fetain, Musa e Demiri përfaqësues politik të ASH-së
Gazetar: Suad Bajrami
Azir Aliu dhe grupi i tij në Aleancën për Shqiptarët nuk e njeh legjitimitetin e Arben Fetait. Deputetët Mimoza Musa dhe Ilir Demiri, do të jenë të autorizuarit e ASH-së për të negociuar shkrirjen në VLEN, ndërsa për çështjet kadrovike është ngarkuar Latif Arifi. Me këtë, grupi i Aliut praktikisht e zhvesh Arben Fetain nga pushteti partiak dhe e nxjerr jashtë loje, duke e lënë pa asnjë deputet.
“Aleanca për Shqiptarët, si çdo parti politike, përfaqësues të partive politike dhe pesha e partive politike matet me numrin e deputetëve…E dini që tanimë deputeti Iliri është me neve. Ne punojmë që së shpejti edhe një ose dy deputetë të jenë në strukturën e Aleancës për Shqiptarët si pjesë e VLEN-it. Pra ideja e të krijuarit politikë dhe zbatimit të politikave në realitet bëhet nëpërmjet deputetëve”, deklaroi Azir Aliu, ASH.
Paraprakisht Fetai organizoi një Kuvend me disa simpatizantë me qëllim legjitimimin e pozitës së kryetarit të ASH-së në Qeveri. Megjithatë, në anën tjetër grupi tjetër që nuk pajtohet me Fetain nëpërmjet aktivitete në terren vazhdon të mbledh rreth vete funksionarë nga të gjitha pjesët e ndara të ASH-së.
Pas deputetit Ilir Demiri nga tabori i Selës, në iftarin e mbrëmshëm në Tetovë, Azirit dhe Musës iu është bashkua edhe ish zëvendësministri Flakron Bexheti, i cili më herët ishte mbështetës i Arben Taravarit. Në fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale, prezent ishte edhe Salim Sulejmani, ish deputeti i krahut të Arben Taravarit që dha dorëheqje nga pozita e deputetit për t’ia lëshuar vendin deputetes së Lëvizjes Besa Valbona Adili Emini, ndërsa për këtë u shpërblye me detyrën e të dërguarit special në vendet arabe. I pranishëm ishte edhe zëvendësdrejtori i Doganave Mustafa Dauti.
Ndërkohë në Kuvendin e Fetait, në krah të tij u pa i rreshtuar zëvendësministri i Bujqësisë Albrim Hoxha, por edhe ish deputeti Syrija Rashidi.
ASH vijon të jetë partia më e fragmentuar, pas çarjes së madhe mes Ziadin Selës dhe Arben Taravarit. Çarja e dytë ndodhi me daljen e Taravarit nga Qeveria dhe refuzimit të Arben Fetait, ndërsa e treta së fundmi me Azir Aliu dhe Mimoza Musën.
Aktualisht dy pjesë të ASH-së janë në opozitë, dy të tjerat në pushtet. /Alsat.mk








