Prokuroria e Kumanovës po zgjeron hetimet për serinë e vrasjeve të grave
Prokuroria e Kumanovës po zgjeron hetimet për serinë e vrasjeve të grave
Gazetar: Petar Çausheski
Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës po zgjeron hetimet për serinë e vrasjeve të grave në fshatrat e komunës Staro Nagoriçane, për të cilat dyshohet 25-vjeçari T.B. nga Malotina e Kumanovës. Prokuroria konfirmoi se do të kryhet ekshumimi i trupit të një gruaje tjetër.
“Mund ta informojmë publikun se gjatë ditëve në vijim është planifikuar një ekshumim tjetër për një tjetër viktimë, për të cilën dyshojmë se është viktimë e një vepre penale”, tha Ljubomir Lape, prokuror në Prokurorinë Themelore Publike – Kumanovë.
Prokurorët Ljubomir Lape dhe Teuta Bediu Ramadani thanë se nga analizat e ADN-së është vërtetuar lidhja e të dyshuarit me vrasjet e M.A., 35 vjeçe, dhe M.S., 78 vjeçe, nga rrethi i Kumanovës. Motivi për këto vrasje deri tani nuk është përcaktuar, pritet që të bëhet vlerësimi psikiatrik i të dyshuarit, i cili ndodhet në paraburgim.
“Me këtë, hetimi praktikisht u zgjerua edhe për një vepër penale të vrasjes, e cila sipas Kodit Penal është vepër penale vrasje sipas nenit 123, paragrafi 3. Për këtë vepër parashikohet dënim me burgim të përjetshëm”, u shpreh Ljubomir Lape, prokuror në Prokurorinë Themelore Publike – Kumanovë.
Nga prokuroria theksuan se kanë dhënë urdhër për SPB – Kumanovë që të dorëzojë të gjitha buletinet që nga fillimi i vitit 2025, me qëllim që hetimi të zgjerohet edhe për raste të tjera të vdekjeve të dyshimta në rrethin e Kumanovës. Prokurorët sigurojnë se po merren në pyetje edhe mjekët dhe policët që nuk konstatuan shenja dhune tek një nga viktimat kur u gjet e vdekur, si dhe për mangësi në mosveprim ndaj të dyshuarit, për të cilin më herët ishin ngritur kallëzime penale për vjedhje dhe ngacmime. /Alsat.mk








